Isufi: Zgjidhja e krizës ekonomike përmes një politike të qartë zhvillimi që e vendos qytetarin në qendër
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se rritja e çmimeve të artikujve bazë, barnave dhe nevojave të përditshme është bërë një presion i vazhdueshëm mbi çdo familje që përpiqet të mbijetojë me dinjitet.
“Në një realitet ku shporta bazë e jetesës shtrenjtohet pa ndalim, ndërsa të ardhurat mbeten pothuajse të ngrira, varfëria është bërë gjendje e përditshme”, ka thënë Isufi.
AI shto ise çdo ditë bëhet më e rëndë se tjetra, dhe çdo ditë sjell më pak shpresë për nesër sesa dje për sot.
Ahmet Isufi i cili në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvend të Kosovës, do të garojë për pozitën e deputetit, ka thënë se gabim është të mendohet se ekonomia matet me optimizëm apo deklarata politike. Sipas tij, ajo matet me aftësinë reale të qytetarit për të jetuar nga puna e tij. Kur puna nuk mjafton për jetesë, sistemi ekonomik ka dështuar në thelb.
Isufi tha se kjo nuk është vetëm çështje shifrash, por çështje drejtësie sociale dhe përgjegjësie shtetërore. Një shtet që nuk garanton stabilitet ekonomik për familjet e veta nuk mund të konsiderohet i suksesshëm.
“Aleanca e sheh zgjidhjen e krizës ekonomike përmes një politike të qartë zhvillimi që e vendos qytetarin në qendër, me rritje reale të pagave në përputhje me koston e jetesës, mbështetje të fuqishme për prodhimin vendor dhe bizneset që krijojnë vende pune, si dhe politika fiskale më të përgjegjshme që lehtësojnë barrën e çmimeve për qytetarët”, ka thënë Ahmet Isufi i AAK-së.
Sipas tij, synimi është kalimi nga një ekonomi e mbijetesës në një ekonomi të dinjitetit, ku puna shpërblehet drejt dhe jeta e përditshme bëhet e përballueshme për çdo familje. /2LONLINE/
