Isufi shprehu mirënjohje dhe respekt për nënkolonel Bashkim Hamdiun me rastin e përfundimit të karrierës së tij ushtarake
Ahmet Isufi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Karadakut, ka shprehur mirënjohje dhe respekt për nënkolonel Bashkim Hamdiun, me rastin e ditëlindjes dhe përfundimit të karrierës së tij ushtarake.
Në mesazhin e tij, Isufi ka vlerësuar kontributin e Hamdiut në luftën për liri dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të atdheut, nga radhët e UÇK-së e deri në angazhimin për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës pas luftës.
“Nuk ka mision më të shenjtë se të jesh luftëtar në front e, me kurorëzimin e fitores, t’i shërbesh atdheut në mbrojtje të vlerës së lirisë e të paqes”, ka theksuar Isufi.
Ai ka kujtuar se Bashkim Hamdiu ishte ndër të parët që iu bashkua radhëve të UÇK-së, së bashku me komandantin dhe heroin e kombit, Abdullah Tahiri.
Duke folur për angazhimin e Hamdiut gjatë luftës, ai ka veçuar pjesëmarrjen e tij në frontet e Pashtrikut, Drenicës dhe Karadakut, duke e cilësuar si shembull të luftëtarit që ishte i gatshëm të angazhohej për mbrojtjen e çdo pjese të atdheut.
“Në Pashtrik, Drenicë e Karadak, do të mbetet shembulli i luftëtarit që nuk e zë lufta, por e kërkon atë, duke e konsideruar çdo pëllëmbë të territorit si pjesë shpirtërore të atdheut”, ka theksuar Isufi.
Ai ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e Hamdiut pas përfundimit të luftës, kur shërbimi i tij vazhdoi në kuadër të proceseve të transformimit dhe zhvillimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Sipas Isufit, Hamdiu u angazhua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duke kontribuar në procesin që synonte ndërtimin e një force moderne të sigurisë, sipas standardeve të ushtrive të NATO-s.
“Pas përfundimit të luftës u bë misionari i paqes, duke i njohur rrethanat e reja të transformimit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, me një qëllim fisnik, të krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri moderne të standardeve të ushtrive të NATO-s”, ka thënë ai.
Në ceremoninë ushtarake të organizuar nga KDS-ja në Ferizaj, në të cilën morën pjesë gjeneralmajor Enver Cikaqi, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, gjeneral brigade Sefer Isufi, kolegë, familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, është vlerësuar kontributi i nënkolonel Bashkim Hamdiut me rastin e ditëlindjes dhe pensionimit të tij.
Me këtë rast, Isufi i ka shprehur mirënjohjen Hamdiut për angazhimin e tij ndër vite, duke i uruar shëndet dhe suksese në vazhdimin e jetës profesionale dhe civile.
“Faleminderit, bashkëluftëtar Bashkim, për angazhimin në luftën për liri dhe misionin në mbrojtje të atdheut”, ka përfunduar Isufi. /2LONLINE/
