Isufi: Nuk u realizuan pritjet tona

Gjilan – (2LONLINE) –  Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan  mund të i ketë  katër këshilltarë komunale në asamblen e re që do të krijohet  prej rezultati të zgjedhjeve të 3 nëntorit.  Nevzad Isufi, Fehmi Sylejmani, Besa Baftiu kanë siguruar ulëse në KK të Gjilanit  ndërsa bazuar në rezultatin preliminar atyre mund t’ju bashkohet edhe Avni Rudaku, por  për këtë pritet shpallja e rezultateve finale nga KQZ.

E, njëri prej këtyre, Nevzad Isufi, që njëherësh ka qenë bartës i listës dhe Shefi Shtabit të Vetëvnedosjes, ka thënë se nuk janë realizuar pritjet  e tyre,të cilat kanë qenë edhe pritjet  e qytetarëve, madje kjo, sipas tij,  ka dalur edhe nga hulumtimet e sondazhet që kryesisht të tjerët kanë bërë dhe për këtë  besoj se juve nuk u janë të panjohura.

“Puna jonë ka qenë e vazhdueshme dhe gjatë  fushatës ne vetëm sa kemi shtuar dinamikën dhe intenzitetin e  aktivitetit, por nuk kemi bërë shumë premtime pa mbulesë siç kanë bërë rivalët tanë, por si duket sa më e rëndë të jetë gjendja e përgjithshme, premtimet janë më të pëlqyeshme, ndërsa për ne kjo ka qenë e pa akceptueshme. Është gjithashtu e vërtetë se ne nuk kemi mundur  t’u konkurrojmë rivalve tonë politikë në reklamimin e kandidatëve  për ansamble por edhe të kandidatit për kryetar, siç kanë bërë rivalët tanë, të cilët kanë shpenzuar qindra mijëra euro në TV dhe në mjetet tjera të informimit”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, qasja e Vet]vendosjes ndaj këtyre zgjedhjeve ka qenë që të ketë një gjithëperfaqësim, duke dashur që të mos lënë asnjë lokalitet, fshat të komunës pa përfaqësues, por kjo si duket kjo nuk ka mjaftuar për shkak se kandidatët tanë  kanë qenë të rinj, të përgatitur profesionalisht, pa ndonjë hipotekë por që nuk kanë mundur mjaftueshëm të bëjnë marketing të mjaftueshëm.

“Ne kemi qenë subjekti i cili i pari ka paraqitur programin e qeverisës madje edhe për të gjitha lokalitet , ndërsa subjektet tjera vetëm në ditët e fundit të fushatës kanë prezantuar programet e tyre, por kjo nuk ka quar peshë shumë te elektorati. Si duket programet nuk kanë zgjuar shumë interesim, krahasuar me premtimet të cilat me vite janë mësuar t’i dëgjojnë. Ndryshime të mëdha kanë ndodhur edhe për shkak  të presionit direkt e indirekt të të gjithë qeveritarëve, dëshmitarë për këtë jeni edhe ju të gjithë, përmes mediave, kamerave etj”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, Vetëvendosje si  subjekt ka një qëndrueshmëri dhe ka arritur që te qytetarët të ngritët një vetëdije për një dalje më masive në zgjedhje dhe ne mendojmë se kjo është pozitive për të gjithë.

“Kemi arritur t’ua bëjmë të njohur qytetarëve të metat e këtij pushteti, keqqeverisjen dhe nevojën e ndryshimit të tij.  Vetëvendosje ka kontribuar në nivel vendi dhe në nivelin lokal që mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në ruajtjen e votës, dhe për këtë kemi pajtim edhe nga disa parti tjera”, ka thënë Isufi.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje megjithatë ka qenë dhe do të mbetet aktive dhe nuk do të zmbrapset e as do të zvogëloj aktivitetin, por përkundrazi do të mobilizohet edhe më tepër. Tashmë duke pasur përfaqësuesit e vet pothuaj në të gjitha kuvendet komunale, pra edhe në Gjilan kjo do jetë më lehtë për të shtuar ndikimin dhe imponuar alternativat e saj, duke u ngritur ngadalë por sigurt dhe qëndrueshëm. Me prurjet e reja që nuk janë të vogla dhe me një riorganizim do të vazhdojmë ta forcojë subjektin tonë. /2lonline/

KOMENTE