/2L ONLINE/ Qeverisja komunale po hynë në vitin e saj të dytë, gjë që do të ishte e mjaftueshme për të vënë në binarë shumë plane, punë e projekte që do të qonin më përpara Komunën e Gjilanit, por se në këtë drejti qeverisja komunale ka dështuar. Kështu ka thënë shefi Grupit të Këshilltareve të Vetëvendosjes Nevzad Isufi. Sipas tij, brenda kësaj periudhe 15 mujore, si opozitë por edhe qytetarët që kjo Lëvizje i përfaqëson, nuk po shohin ndryshimet e premtuara nga Kryetari i Komunës dhe ekzekutivi që ai udhëheq.
“Pritjet e qytetarëve janë vërtetë te arsyeshme, ata duan investime në infrastrukturë, rrugë të shtruara, ujë të pijshëm, rregullime kanalizimesh, përmirësime e rregullime të parqeve, ndërtime të shkollave, çerdhe, fusha sportive, zgjidhje të çështjes së banimit e të çështjeve sociale etj, por po përmendim edhe atë që është qenësore për çdo familje, pra punësimin, gjë që është bërë apotheozë e shekullit 21. Në të gjitha këto aspekte pak është bërë, sepse qeverisja jonë komunale dhe Kryetari më shumë janë përqendruar në dhënien e frymës partiake të gjitha këtyre segmenteve, me ndryshime e formave të reja të organizimi në letra, të cilat deri më tash nuk kanë treguar funksionalitet, por përkundrazi, kemi joefikasitet e ngecje”, u shpreh ai.
Më tej, Isufi tha se kemi punësime familjare, nepotizëm, punësime në baza partiake, punësime duke shkelur konkurset, punësime me kontrata në vepër, e të ngjashme.
“Për çdo vend pune konkurrojnë qindra njerëz, kurse komunarët i bëjnë punësimet pa konkurse. A nuk është kjo shkelje e rëndë ligjore? Ne kërkojmë nga qytetarët që të mos i heshtin shkeljet dhe parregullsitë, por të reagojnë e të këmbëngulin në realizimin e të drejtës së tyre, të kërkojnë të drejtën e tyre edhe në organet gjyqësore, e neve na kanë gjithmonë në dispozicion”, tha në fund Isufi i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/