Isufi: Kuvendi njëpartiak e me disa anëtarë që merren me qera, nxjerrin vendime të paligjshme

Isufi: Kuvendi njëpartiak e me disa anëtarë që merren me qera, nxjerrin vendime të paligjshme

Nevzad Isufi, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, në një konferencë për media ka folur për seancën e djeshme, që ka vazhduar edhe sot, e për ecurinë e të cilës pati vërejtje të mëdha.

Duke folur për shkelje të shumta në këto seanca nga të cilat, sipas tij, dolën edhe vendime të paligjshme, ai ndër tjerash është ndalur edhe në dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, Qendrës socio-edukative “Don Bosko”, që sipas tij u bë në mënyrë të jashtëligjshme, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Isufi tha se kjo dhe shkeljet e tjera kishin bërë që të lëshojnë seancën e djeshme dhe ta bojkotojnë sot vazhdimin e seancës. Për më tepër, kur jemi te vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, Qendrës “Don Bosko”, Isufi i Vetëvendosjes tha se nuk do ta njohin këtë vendim dhe se do t’i ndërmarrin të gjitha hapat që do të qojnë drejt shfuqizimit të një vendimi të tillë joligjor, duke iu drejtuar MAPL-së, por pse jo edhe organeve të drejtësisë.

Isufi tha se pika e rendit të ditës që kishte të bënte me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale “Don Bosko-s”, ishte rikthyer sot në seancë, të cilën e bojkotuan për shkak shkeljeve ligjore, e ku u mor një vendim skandaloz që OJQ-së “Don Bosko” t’i jepet vendi për shfrytëzim për një periudhë 15 vjeçare.

“Kemi pasur një marrëveshje të kryetarit të komunës e bërë në vitin 2012 dhe që ka afat 10 vjeçar pra deri më 2022, dhe nga ne është kërkuar që ti vazhdohet dhënia në shërbim të kësaj prone kësaj OJQ-je, që është si një shkollë private, e cila në fakt nuk është joprofitabile, por përkundrazi”, thotë Isufi. Ai shtoi se shkelja e parë është ajo që marrëveshja është akoma në fuqi, pastaj shkelja tjetër është që për të bërë një marrëveshje të re duhet anuluar e vjetra. Shkelja tjetër është se kjo çështje nuk është studiuar mirë dhe dhëniet në shfrytëzim për afat më të gjatë të pronave publike, më shumë se 15 vite, duhet të shqyrtohen mirë, të analizohen dhe të ketë paraprakisht shpallje publike për dhënie në shfrytëzim, për të konkurruar dhe të tjerë.

Kreu i Vetëvendosjes tha se asnjë nga këto nuk janë bërë, andaj edhe në seancën e djeshme tërhoqën vërejtën se nëse pozita ngutet në këtë pikë, do ta lëshojnë seancën dhe kjo edhe ndodhi, opozita doli. Ai ka rikujtuar Universitetin Publik të Gjilanit që ka probleme me hapësira dhe mendohet blerja e hapësirave për t’ia dhënë asaj në shfrytëzim, ndërkohë që kemi hapësira publike dhe u japim në shfrytëzim të tjerëve.

Për fat të keq, thotë tutje Isufi, në Kuvendin Komunal të Gjilanit kemi anëtarë që sot kanë një qëndrim e nesër një tjetër, kështu që derisa dje disa anëtarë të KK-së, ishin kundër dhënies, sot ishin pro, dhe për këtë Isufi mendon se është bërë nga presionet e pushtetit.

“Ne mendojmë se këtu ka interesa të caktuara të njerëzve të cilët fshihen pas kësaj kërkese dhe ngutia për ta dhënë këtë pronë në shfrytëzim, është një premtim i bërë qysh me parë”, ka thënë Isufi për të shtuar se kjo nguti u bë me kërkesë të kreut të komunës që ka anashkaluar ligjin, në këtë rast, të dhënies në shfrytëzim të pronës publike.

“Ne nuk do të ndalemi vetëm me këtë reagim, por do të kërkojmë interpretim ligjor dhe nuk do ta njohim këtë vendim të Kuvendit që e ka marrë pa opozitën, një kuvend njëpartiak me disa anëtarë të Kuvendit që pozita i merr me qira nga seanca në seancë dhe vendos për qeshje me rendisë publike siç është dhënia në shfrytëzim e më se dy hektarëve tokë, për një periudhë 15 vjeçare, një OJQ-je e cila merret me çështje të arsimit e edukimit, dhe e cila nuk i jep llogari asnjë institucioni komunal dhe shtetëror”, thotë kreu i Vetëvendosjes në Gjilan, Nevzad Isufi.

Ai foli edhe për shumë vërejtje të Vetëvendosjes për punën e Kuvendit të Gjilanit, që sipas tij po bënë shkelje përgjatë punës së tij, e për të cilat do t’i drejtohet MAPL-së.

Nga ana e saj, Arbëresha Kryeziu Hyseni anëtare e KK-së nga Vetëvendosje, tha se tek çështja e dhënies në shfrytëzim dhe jo dhënies me qira të tokës komunale për OJQ “Don Bosko”, duhet pas parasysh një gjë interesante që ka të bëjë me arsyetimet e atyre që ishin pro, ku si arsye kishin se “Don Bosko”, është një institucion edukativo arsimor që i plotëson kushtet, duke bërë krahasim me institucionet publike, e ku në të njëjtin rast puna e institucioneve publike u hodh kompletë poshtë, transmeton Portali 2LONLINE.com.

“Do të thotë, vet qeveria, vet ata që janë në pushtet, që udhëheqin me komunën tonë dhe janë përgjegjësit e institucioneve publike, dje deklaruan publikisht se institucionet tona publike, shkollat tona fillore dhe të mesme e kanë punën zero në krahasim me atë që bëhet në një OJQ siç është “Don Bosko””, ka thënë Arbëresha Kryeziu Hyseni

KOMENTE