Isufi: Kosovës i duhet urgjentisht ndryshimi dhe kthimi te normaliteti politik e shtetëror
Ahmet Isufi nga Aleanca ka deklaruar se vendi ka nevojë urgjente për ndryshim politik dhe për një qeverisje me përgjegjësi, zhvillim dhe stabilitet.
Isufi, i cili është kandidat për deputet nga Aleanca, për zgjedhjet e parakohshme të 7 Qershorit, ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër me kulturë shtetërore, vizion dhe aftësi për të udhëhequr vendin.
“Kosovës i duhet urgjentisht ndryshimi. I duhet një kryeministër me kulturë shtetërore, me vizion dhe me aftësi për të qeverisur. I duhet një qeveri që nuk jeton me propagandë e konflikt, por me përgjegjësi, punë e zhvillim”, ka thënë Isufi.
Ai theksoi se qytetarët kanë nevoja konkrete jetësore dhe nuk mund të mbështeten vetëm në retorikë politike apo nacionalizëm të rremë.
“Qytetarët nuk jetojnë me fjalime e me nacionalizëm të rremë. Jetojnë me siguri, me energji stabile, me paga, me ekonomi të zhvilluar dhe me perspektivë për fëmijët e tyre”, u shpreh ai.
Sipas Isufit, Aleanca ka dëshmuar në të kaluarën se di të qeverisë dhe të marrë përgjegjësi shtetërore.
“Aleanca ka dëshmuar se di të qeverisë, di të marrë përgjegjësi dhe di ta vendosë interesin e shtetit mbi interesat e ngushta politike”, deklaroi Isufi.
Ai renditi sigurinë, energjinë dhe zhvillimin si nevoja themelore të qytetarëve dhe prioritete për të ardhmen e vendit.
“Siguri. Energji. Zhvillim. Sepse këto janë nevoja jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka thënë Ahmet Isufi, kandidati i Aleancës për deputet në zgjedhjet e parakohshme. /2LONLINE/