Isufi: Kjo qeverisje nuk po i trajton qytetarët njësojë
/2L ONLINE/ – Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të fshatit Uglar të Gjilanit thanë se ndihen të revoltuar me pushtetin aktual që nuk po i trajton qytetarët njësojë dhe se kjo është parë edhe me rastin qasjes ndaj shkollës së këtij fshatit, përkatësisht të nxënësve, kur janë në pyetje projektet që realizohen, konkretisht shtrimi i oborrit të shkollës me kubëza.
Ramiz Isufi, nga ky fshat, përfaqësues i PDK-së, thotë se qeverisja lokale ka shtruar një pjesë të oborrit të shkollës fillore të këtij fshati, por me material të përdorur në një shkolle tjetër të Gjilanit. Sipas tij, pasi janë përdorur në një shkollë të qytetit tani janë zhvendosur dhe janë përdorur për oborrin e shkollës së Uglarit.
Për më tepër, Isufi e ka dokumentuar këtë edhe me fotografi që i ka dërguar në redaksinë tonë, e ku sipas tij. Shihet qartë se një pjesë e konsiderueshme e kubëzave janë te thyera dhe të dëmtuara e që pasojat mund t’i bartin nxënësit e kësaj shkolle.
Ai tha se do të kërkojë me ngulmë që të ndërpritet kjo praktikë denigruese dhe tejet diskriminuese që po bëhet nga pushteti aktual.
“Ne mund të mbetemi pa e shtruar oborrin e shkollës sonë, por nuk lejojmë të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë. E keqja e madhe në këtë rast ka ndodhur për faktin se nëpërmjet kësaj praktike po u imponohet fëmijëve logjika e keqe e qeverisjes me dy standarde”, ka thënë Ramiz Isufi nga Uglari i Gjilanit. /2L ONLINE/





