DYLON

Isufi: Fshati Burincë, Perla e Karadakut që frymëzon zhvillimin rural

Isufi: Fshati Burincë, Perla e Karadakut që frymëzon zhvillimin rural
Avatar photo Redaksia

“Në Komunën e Gjilanit, fshatrat tanë janë si pasuri të fshehura që presin të zbulohen, dhe një nga këto është padyshim fshati Burincë. Vizituam këtë fshatë dhe me përjetimet që mora ishte i jashtëzakonshëm – natyra e virgjër, ajri i pastër, mikpritjes tradicionale dhe një vizioni të qartë për të ardhmen”, thotë Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari, në Komunën e Gjilanit.

Ai shton se ishte një panoramë e mrekullueshme që shtrihej para syve tanë, vendbanimet përreth duken si në pëllëmbë të dorës, përfshirë qytetin e Gjilanit dhe të Vitisë. Pamje që nuk ngopesh së shikuari.

EkoHigjiena

Por ajo që e bëri këtë vizitë edhe më të veçantë, thotë drejtori Isufi, ishte takimi me, Nazmi Hajdarin, një njeri që jo vetëm e do vendlindjen e tij, por edhe vepron për të.

I kthyer prej vitesh në fshat, ai ka ngritur plantacione të frutave si aronia dhe manaferra, parqe bletësh me dhjetëra koshere, si dhe një vikend-shtëpi të bukur pitoreskë. Mjalti që prodhon vjen nga natyra e virgjër e Karadakut dhe ka vlera të larta ushqyese.

“Ajo që më la më së shumti mbresa te ky fermer ishte sinqeriteti, dashuria për tokën, pastërtia shpirtërore, mikpritja dhe bujaria – vlera të rrënjosura thellë në zemrën e Karadakut dhe të popullit tonë”, thotë Isufi.

Përndryshe, Hajdari, së bashku me bashkëfshatarë të tjerë, shumë prej të cilëve ndodhen në mërgatë, kanë plane ambicioze për të ardhmen: investime në gastronomi lokale, akomodim për vizitorët dhe zhvillim të plotë të turizmit rural.

“Si përfaqësues i institucionit komunal, dua të shpreh publikisht: Admirimin tim të sinqertë për punën dhe vizionin e z. Nazmi Hajdari, si shembull frymëzues i një qytetari që kthen dashurinë për vendlindjen në vepra konkrete. Përkushtimin tim institucional për të mbështetur çdo individ apo grup që ka vizion të qartë dhe dëshirë për të investuar në zhvillimin e turizmit rural, i cili është një nga prioritetet e Komunës së Gjilanit”, thotë drejtori i Bujqësisë.

Burinca është më shumë se një fshat, është një model se si dashuria për vendin dhe puna e palodhshme mund të kthehen në mundësi reale zhvillimi.

“Le ta përqafojmë këtë vizion dhe le ta kthejmë potencialin e fshatrave tona në shtylla të turizmit të qëndrueshëm, ku bashkëjetojnë natyra, kultura dhe mirëqenia”, thotë në fund, Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari, në Komunën e Gjilanit.  /2LONLINE/