DYLON

Isufi: Është koha që Anamorava ta rikthejë besimin te ata që kanë dëshmuar se dinë të qeverisin dhe të japin rezultate

Isufi: Është koha që Anamorava ta rikthejë besimin te ata që kanë dëshmuar se dinë të qeverisin dhe të japin rezultate
Avatar photo Redaksia

“Gjilani nuk është qytet që mashtrohet lehtë. Është vatër e ilegales, e atdhetarizmit dhe e sakrificës kombëtare. Nga kjo anë kanë dalë veprimtarë që kanë rrezikuar jetën e tyre kur ishte më së vështiri për Kosovën. Kjo histori nuk lejon që qytetarët të trajtohen me propagandë, me arsyetime dhe me premtime që nuk mbahen”, ka thënë Ahmet Isufi, kandidat i Aleancës, në garën për deputet, në zgjedhjet e 7 Qershorit.

Ai tha se Anamorava gjithmonë ka ditur ta dallojë fjalën nga vepra. Ka ditur t’i vlerësojë ata që punojnë dhe t’i ndëshkojë ata që kërkojnë besim pa dhënë rezultate.

“Sot, pas kaq vitesh pritjeje, qytetarët e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Artanës kanë të drejtë të pyesin se ku mbetën ato projektet e mëdha që u premtuan? Ku është zhvillimi që u garantua? Ku janë investimet që do ta ndryshonin jetën e të rinjve dhe familjeve të Anamoravës?”, ka thënë Ahmet Isufi.

AI shtoi se një rajon me këtë traditë nuk mjaftohet me fjalë. Kërkon punë, rezultate dhe përgjegjësi.

“Prandaj, është koha që Anamorava ta kthejë zhgënjimin në vendim. Ta rikthejë besimin te ata që kanë dëshmuar se dinë të qeverisin dhe të japin rezultate. Gjilani dhe Anamorava nuk kanë qenë kurrë strehë e mashtrimit politik, kanë qenë gjithmonë vatër e njerëzve që e duan vendin dhe kërkojnë vepra, jo arsyetime”, ka thënë Isufi i Aleancës.

Ai tha se kandidatët e Aleancës nga Gjilani e Anamorava janë përfaqësimi më i denjë në tempullin ku merren vendimet dhe në qeverinë ku zbatohen veprimet në dobi të qytetarëve.