Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka përjashtuar çfarëdo mundësie që kjo parti nga fillimi i vitit të ardhshëm të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës. Ai ka thënë se AAK-ja është e interesuar të përgatitet sa më mirë për zgjedhjet parlamentare, e jo që në këtë fazë të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës.
“Jemi duke i pritur zgjedhjet parlamentare, prandaj nuk do të hyjmë në asnjë kombinim të koalicioneve. Pra, nuk do të hyjmë në Qeveri. Ju e dini se për AAK-në vazhdimisht është përfolur se do të hyjë në Qeveri, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Isufi në një intervistë për “Epokën e re”.
Pavarësisht se liderët e partive politike janë pajtuar që kjo Qeveri ta çojë deri në fund mandatin kushtetues, Isufi është shfaqur mjaft kritik ndaj punës së ekzekutivit. “Kjo Qeveri ka dështuar në shumë fusha, edhe në atë të zhvillimit ekonomik dhe luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu që, Qeverinë aktuale duhet ta çojmë sa më shpejt në shpi. Këtë duhet ta bëjmë qysh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, është shprehur Isufi.
Ndërkaq duke iu referuar debatit për çështjen e vendeve të rezervuara për minoritetet, Isufi ka thënë se AAK-ja është kundër vazhdimit të rezervimit të këtyre vendeve në Kuvendin e Kosovës. “Pra, për minoritetet nuk duhet të ketë mandate shtesë, sepse të gjithë qytetarët janë të integruar mirë në jetën institucionale dhe politike. Të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Isufi.