DYLON

Isufaj prezantoi aktivitetet dhe rezultatet e Prokurorisë Speciale gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026

Isufaj prezantoi aktivitetet dhe rezultatet e Prokurorisë Speciale gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026
Avatar photo Redaksia

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale z.Blerim Isufaj ka mbajtur të hënë konferencë për media, ku prezantoi aktivitetet dhe rezultatet e Prokurorisë Speciale gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, spiunazhit dhe krimeve të luftës.

Gjatë konferencës, Kryeprokurori Isufaj theksoi se Prokuroria Speciale ka vazhduar të zhvillojë hetime komplekse dhe operacione të koordinuara me Policinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë autoritetet e Francës, Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Shqipërisë, Mbretërisë së Bashkuar, si dhe EUROPOL dhe EUROJUST.

EkoHigjiena

Në këtë kuadër, ai veçoi operacionin ndërkombëtar të realizuar më 30 qershor, i cili lidhet me hetimin e pastrimit transnacional të parave të përfituara nga trafikimi i narkotikëve, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërkombëtar si një nga mekanizmat më efektivë në luftimin e krimit të organizuar.

 “Ky veprim i koordinuar dëshmon se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga mekanizmat më efektivë për identifikimin, hetimin dhe ndërprerjen e atyre rrjeteve kriminale që dëmtojnë sundimin e ligjit dhe sigurinë publike.Në kuadër të këtij bashkëpunimi kemi zhvilluar edhe një takim të rëndësishëm po më 30 qershor, me përfaqësues të autoriteve të Spanjës, Francës, Italisë, Gjermanisë, Shqipërisë Britanisë së Madhe dhe EUROPOL-it. Ata janë ndarë të kënaqur me punën e Prokurorisë Speciale, dhe jemi pajtuar që të vazhdojmë punën e përbashkët në luftën ndaj krimit të organizuar”, ka thënë ndër të tjera kryeprokurori z.Isufaj.

z.Isufaj ka theksuar se luftimi i krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe ndërtimi i një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt është një përparësi e vazhdueshme e Prokurorisë Speciale.

“Operacioni i realizuar më 30 qershor dërgon një mesazh të qartë: Prokuroria Speciale do të veprojë me vendosmëri, në një mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme me autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit. Çdo goditje ndaj grupeve kriminale është një investim në sigurinë e qytetarëve, në ekonominë e ligjshme dhe në besimin ndaj institucioneve të drejtësisë”, shtoi z.Isufaj.

Kryeprokurori Isufaj rikujtoi gjithashtu operacionet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, përfshirë operacionin “White Star”, operacionin “Mega” dhe pjesëmarrjen e Prokurorisë Speciale në operacionin ndërkombëtar “Switch Off”, të cilat rezultuan me arrestime, sekuestrime të substancave narkotike dhe hetime për financim të terrorizmit, pastrim parash dhe krim të organizuar.

Sa i përket rezultateve në procedurat penale, ai njoftoi se gjatë kësaj periudhe janë shënuar aktgjykime fajësuese në disa raste të rëndësishme të spiunazhit, në rastin “Banjska”, në rastin e njohur si “400 kg kokainë”, si dhe në disa raste të krimeve të luftës. Paralelisht, Prokuroria Speciale ka zhvilluar operacione të rëndësishme në hetimin e krimeve të luftës, ndërsa disa aktakuza të tjera pritet të finalizohen deri në fund të vitit.

Kryeprokurori bëri të ditur se një numër i konsiderueshëm i të dyshuarve për vepra të rënda penale vazhdojnë të jenë në paraburgim, ndërsa hetimet intensive po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për të siguruar prova dhe për të ndërtuar raste të qëndrueshme për gjykatë.

Në përfundim të konferencës, Kryeprokurori Isufaj ritheksoi përkushtimin e Prokurorisë Speciale për zbatimin e ligjit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Prokuroria Speciale do të veprojë me vendosmëri, në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme me autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë. Çdo goditje ndaj grupeve kriminale është investim në sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme dhe forcimin e besimit në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Kryeprokurori Isufaj. /2LONLINE/