Ismet Hashani: Policia e Gjilanit shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba brenda javës, 11 motoçikleta u konfiskuan
Policia Rajonale e Gjilanit ka vazhduar kontrollet e shtuara në trafikun rrugor, duke shqiptuar gjithsej 1 mijë 815 gjoba gjatë periudhës 3-9 korrik 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Përgjegjësi i Zyrës për Informim i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, Ismet Hashani, tha se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar aktivitete të shumta parandaluese dhe kontrolluese në të gjitha komunat që mbulon rajoni.
“Gjatë periudhës 3-9 korrik 2026, njësitet e trafikut rrugor kanë shqiptuar 1 mijë 815 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, ndërsa janë ndërmarrë edhe masa të tjera me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik”, ka deklaruar Hashani, transmeton Portali 2LONLINE.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë javës janë hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 33 aksidente me persona të lënduar.
Kontrollet kanë rezultuar edhe me 26 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë, 30 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe 15 gjoba për automjete të modifikuara me folje të errëta.
Po ashtu, Policia ka shqiptuar 27 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike, ndërsa janë evidentuar 16 raste të drejtimit të motoçikletës pa patentë shoferi, 16 raste të drejtimit pa regjistrim valid dhe 23 raste të drejtimit pa helmetë mbrojtëse. Si pjesë e masave të ndërmarra, janë konfiskuar përkohësisht edhe 11 motoçikleta, transmeton 2LONLINE.
Toger Ismet Hashani u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit.
“Drejtimi i automjeteve pa respektuar normat e parapara me ligj kushton me jetë. Shpejtësia vret, ndërsa kujdesi i shtuar nënkupton shpëtim jete për vete dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, ka apeluar toger Ismet Hashani. përgjegjësi i Zyrës për Informim i Policisë së Kosovës, në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. /2LONLINE/
