Ismet Azizi nderohet me “Plaketën e Artë” në Rozhajë për kontributin në studimin e historisë së Sanxhakut
Më 13 korrik 2025, në Shtëpinë e Kulturës në Rozhajë u mbajt promovimi i vëllimit të shtatë të veprës “Libri i Bardhë i Viktimave të Sanxhakut” të autorit Fehim Džogović.
Me këtë rast, Ismet Azizi, kryetar i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, u nderua me “Plaketën e Artë” për kontributin e tij të shquar në hulumtimin e historisë së Bihorit dhe Sanxhakut gjatë periudhës 1941–1945.
Plaketa u ndanë nga Instituti për Histori, Demografi dhe Antropologji i Sanxhakut, në praninë e akademikëve Ferid Muhić, Šerbo Rastoder dhe personaliteteve të tjera.
Azizi, në fjalën e tij të shkurtër falënderuese, vlerësoi këtë nderim si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të besimit dhe bashkëpunimit në Sanxhak dhe më gjerë, me theks të veçantë në promovimin e kujtesës historike dhe të vërtetës.
“Kjo plaketë është një simbol i besimit dhe i hapjes për një të ardhme më të ndritshme ndërmjet popujve tanë, mbi bazën e respektit dhe njohjes së së vërtetës historike,” u shpreh Azizi.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin akademik ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe institucioneve shkencore të Sanxhakut, thuhet në njoftimin e OJQ “Kosova për Sanxhakun”. /2LONLINE/
