Ismajli: Puset janë zgjidhje emergjente për ujë, njëkohësisht po punohet në zgjidhje afatgjata

Ismajli: Puset janë zgjidhje emergjente për ujë, njëkohësisht po punohet në zgjidhje afatgjata

Kuvendi Komunal i Gjilanit (KKGJ)ka mbajtur sot seancën e parë për këtë vit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar dhe miratuar plotësimet dhe ndryshimet në Rregulloren për taksa, sipas sugjerimit të MAPL, një çështje kjo që ka nxitur mjaft debat.

Po ashtu, KKGJ miratoi edhe vendimin për dhënien e titullit “Nderi i Qytetit” dy personaliteteve, Ekrem Gjinollit (pas vdekjes) dhe Fahredin Sherifit.

Propozimi për Ekrem Gjinollin, që është bërë nga Xhevat Demiri dhe propozimi tjetër për Fahredin Sherifin, që është bërë nga Nehat Osmani, janë përkrahur në mënyrë unanime nga Kuvendi.

Njëherësh, Kuvendi ka miratuar edhe raportet e punës së Komiteteve për vitin 2019 si dhe planet e punës për vitin 2020 të këtyre trupave komunale, vendimin për kompensimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe adresave dhe të komisioneve përzgjedhëse të anëtarëve të dy komiteteve konsultative si dhe është njoftuar lidhur me projektet për normalizimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijes.

Pavarësisht se komuna e Gjilanit sot mori një lajm të mirë nga Banka Botërore, përfaqësues të së cilës patëm një takim me kryetarin Lutfi Haziri, problemi i ujit po vazhdon të dominojë debatet në Kuvend Komunal.

Përpos një informate me shkrim për këtë problem, që iu ofrua Kuvendit, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli ka dhënë edhe sqarime shtesë, duke thënë se zgjidhja e vetme emergjente për qytetin e Gjilanit, janë puset dhe në këtë drejtim po punojmë bashkërisht me kompaninë Hidromorava.

Javën tjetër lëshohen edhe dy puse tjera te lagja Fidanishte, që shpresojmë ta zbusin gjendjen sadopak, ndërkohë që do të vazhdojmë me shpime të tjera, ka thënë Ismajli.

Nënkryetari Ismajli ka premtuar se çështja e ujit është dhe do të jetë prioritet për komunën e Gjilanit dhe nëse është e nevojshme do të lihen anash projektet tjera, derisa gjendja të zbutet përmes puseve.

Ai ka folur edhe për masat tjera që janë duke u ndërmarrë për të siguruar furnizim afatgjatë me ujë të pijes nga Llapushnica, Kremenata ose burime të tjera, por ato kërkojnë kohë për t`u realizuar.

Isa Agushi ka thënë se duhet të stopohen të gjitha projektet tjera dhe përparësi t`i jepet ujit, sepse gjendja mund të bëhet më shumë se emergjente gjatë verës.

Në këtë temë, ku kanë diskutuar një numër i madh i anëtarëve të Kuvendit, ka pasur edhe polemika e replika ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se mungesa e ujit, është problem vërtet shqetësues dhe kështu e ka kuptuar edhe ekzekutivi i Komunës, i cili po bënë përpjekje për një zgjidhje emergjente dhe njëkohësisht është duke punuar për një zgjidhje afatgjatë të këtij problemi.

Sa i përket rregullores për taksa, Sadri Arifi, shef i shërbimit të Kuvendit, sqaroi se MAPL ka bërë rivlerësim të disa pikave, pas afatit ligjor dhe në çështjet të cilat njëherë i ka vlerësuar.

Kryesuesja e Kuvendit Shpresa Kurteshi-Emini i kërkoi nga këshilltarët që të përqendrohen vetëm te vërejtjet e MAPL-së dhe të mos lëshohen në debat për rregulloren në tërësi, sepse ajo është miratuar nga Kuvendi në afatin e paraparë.

Megjithatë, Kuvendi zhvilloi sërish debat për rregullore. Nevzad Isufi (VV) tha se duhet të merret parasysh gjendje ekonomike e qytetarëve dhe taksat të mos rriten, ndërsa bizneset duhet të lehtësohen në aspektin tarifor, nëse nuk mund të ndihmohen ndryshe.

Nehat Osmani (VV) tha se MAPL-ja ka konstatuar se disa pika të rregullores janë në kundërshtim me ligjin, duke nënvizuar se taksat te bizneset nuk janë vendosur në mënyrë të barabartë.

Vërejtje dhe mendime rreth rregullores, kanë shprehur edhe Riza Abdyli, Shefik Surdulli, Gentrit Murseli, Erlehta Osmani, Mimoza Kadriu, Avdyl Aliu, IbishI bishi, Shemsedin Elezi, Shemsedin Ramushi dhe të tjerë, ndërsa përgjigje dhe sqarime kanë dhënë drejtorët Bekim Bajrami (DUMM) dhe Valbona Tahiri (DZHE).

Këshilltarët komunalë janë treguar mjaft aktivë edhe në debatin për raportet e punës së komiteteve, ndonëse në përgjithësi, raportet janë vlerësuar sipërfaqësore.

Në pjesën e debatit, e cila u rikthye në fillim të seancës, pyetje rreth çështjeve konkrete kanë shtruar Riza Abdyli, Nevzad Isufi, Xhevat Demiri, Burim Berisha, Bujar Nevzati, Nehat Osmani, Shefik Surdulli, të cilët kanë marrë përgjigje nga drejtorët Bekim Bajrami (DUMM), Nevzad Rushiti (DIK), Naser Korqa (DSHP), Ramiz Ramadani (DBP), Valbona Tahiri (DZHE) dhe Nazim Gagica (DA).

Përndryshe, në këtë seancë të Kuvendit, betimin e kanë dhënë dy anëtarë të rinj, Mustafë Rexhepi (Nisma) që ka zëvendësuar Enver Hajrullahun që e ka lënë mandatin për shkak të angazhimit në shërbimin civil dhe Krenare Latifi-Kqiku (VV) që ka zëvendësuar Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës.

KOMENTE