Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, ka mbajtur sot takimin e radhës të udhëhequr nga nënkryetari, Arbër Ismajli, për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit.
Në konferencën për media, nënkryetari Ismajli ka thënë se situata me COVID-19 në dhjetëditëshin e fundit është më e qetë.
“Kanë filluar dukshëm të ulen shifrat. Nga mbi 700 raste aktive para pak javësh, numri bie në 243, ndërkaq nga afro 75 vizita shtëpiake nga ekipet e shëndetësisë primare, numri është ul në 30”, ka thënë Ismajli.
Ai bëri të ditur se deri tani janë vaksinuar 1377 qytetarë, aq sa ka qenë numri i dozave për këtë komunë, në fazën e parë, ku janë vaksinuar personeli shëndetësorë dhe grupmoshat 85, 80 dhe 75 vjeç.
Ndryshe, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20274 mostra, 6274 kanë rezultuar pozitivë, 5892 janë shëruar, 139 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 243 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 43 dhe 123 mostra në pritje për rezultat. /2LONLINE.com/