Ismajli: Muzeu i Dr. Shevçet Mehmet është vlerë pasurore për qytetin tonë

Ismajli: Muzeu i Dr. Shevçet Mehmet është vlerë pasurore për qytetin tonë

“Është kënaqësi dhe privilegj për mua, të takojë Dr. Shevçet Mehmet, një urolog specialist shumë i suksesshëm por edhe një i pasionuar pas antikës. Mbi të gjitha, Dr. Shevçet Mehmet, shpërfaq një dashuri të madhe ndaj gjërave antike. Ai hulumton, konservon, mbledh, komunikon dhe ekspozon trashëgiminë e luajtshme për qëllime tё studimit, të edukimit dhe të shijimit në shërbim të shoqërisë dhe të zhvillimit të saj”.

Kështu është shprehur, nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli pas një vizite që i bëri dr Shevçet Mehmetit, ku ai brenda oborrit të shtëpisë së tij, posedon muzeun e quajtur “Amaneti”, muze i cili përmban një numër të konsiderueshëm të gjërave antike. “Ky muzeum i tij, është vlerë pasurore për qytetin tonë, dhe, për vetë pasionuesit e gjërave antike”, ka thënë Ismajli.

Ai ka vlerësuar lartë doktorin edhe për faktin që ai edhe përgjatë kohës së shërbimit të tij mjekësorë, vazhdimisht u del në ndihmë shumë pacientëve të tij. Si parim jetik tek Dr. Shefçet Mehmet, është se, ky njeri, për familjet skamnore, qytetarët me nevoja të veçanta, dhe pacientët të cilët i kanë emrat e prindërve të tij, të gjitha kontrollet mjekësore i kanë falas. Këtë ai e bënë në shenjë solidarizimi me këto kategori, dhe, veçanërisht, me njerëzit të cilët bartin epitetin e emrit të prindërve të tij. Poashtu, Dr. Shefçet Mehmet, përgjatë karrierës së tij mjekësore, në çdo fundvit, një pjesë si fitimit neto, e ndanë për familjet në nevojë, bënë të ditur Ismajli.

“Intelektualizmi i tij, i shprehur në humanizëm, dhe në virtytet më të larta njerëzore e bënë këtë njeri, një figurë emblematike të qytetit tonë, ku emri i tij, shpërfaq një jehonë madhështore të një karrieristi të bujshëm, i cili me mund dhe me shumë përkushtim, arriti ta bartë në vete një oqean shkence, shkencë e cila iu shërbeu nevojave të qytetarëve si inspirim për arritje dhe përparim jetësor”, ka thënë tutje Ismajli.

Sipas tij, Dr. Shefçet Mehmet, do të mbetet inspirim për shumë gjenerata, inspirim për shpërfaqjen e vlerave intelektuale, patriotike, e kombëtare, përmes punës dhe biografisë së pasur jetësore.

Përndryshe, Ismajli nuk ka përtuar ta shpalos, prej prizmit të tij, edhe një biografi të shkurtër të Dr Shevçet Mehmet.

***
Dr. Shevçet Mehmet, ka mbaruar fakultetin e medicinës në Universitetin e Beogradit, në paraafat, në vitin 1973. Më pas, specializimin nga Urologjia e mbaroi në Qendrën Klinike Universitare “Rebro”, në Zagreb. Pastaj, përfundoi edhe studimet post-universitare nga Urologjia, e dikur edhe nga Ultrazëri Klinik.

Mbi të gjitha, pikërisht ky njeri, është autor i mbi 61 punimeve shkencore. Dikur ishte edhe mjek sportiv i skuadrave futbollistike “Crvena Zvezda”, “Drita”, më pas edhe i skuadrave hendbollistike “Bozhur”, dhe, “Drita”.

Në një kohë ishte edhe mësimdhënës i dalluar.

Dr. Shevçet Mehmet, rrjedh prej një familje të ndershme, të sinqertë, dhe humane, e cila gjithmonë ka qenë e gatshme të kontribuojë për shoqërinë tonë. Dr. Shevçet Mehmet, ka një familje bujare e fisnike, e cila ka tradita e zakone, të mikpritjes e të shfaqjes së bujarisë ndaj çdo dashamiri.

KOMENTE