Ismajli: Komuna e Gjilanit në Raportin e Gradimit për vitin 2019 ka arritur rezultate pozitive

Ismajli: Komuna e Gjilanit në Raportin e Gradimit për vitin 2019 ka arritur rezultate pozitive

“Në kuadër të aktivitetit të përvitshëm, organizuar nga USAID-it për Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë, Komuna e Gjilanit në Raportin e Gradimit, për vitin 2019, ka arritur rezultate pozitive dhe ka tejkaluar pragun minimal të gradimit për 9 prej 12 treguesve të gradimit”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Sipas tij, ky raport i gradimit të komunave prezanton nivelin e progresit të komunës së Gjilanit në arritjen e objektivave drejt rrugës së gradimit. Komuna e Gjilanit ka shënuar progres prej 45.27% në vitin 2019 krahasuar me vitin e kaluar. Nga një vlerë fillestare prej 43.67 pikësh në vitin 2017, komuna arriti në 53.28 në vitin 2018 dhe 77.40 pikë në vitin 2019.

“Do të punojmë fuqimisht si komunë, që në vlerësimin e radhës së performancës, që është në janar 2021, t’i përmbushim kriteret e përgjithshme të gradimit prej 80 pikësh si dhe kriteret individuale të treguesve duke shënuar së paku 6 pikë për secilin tregues, atëherë Komuna e Gjilanit do ta fitojë statusin e komunës nën monitorim”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Ai ka falënderuar për përkrahje në këtë rrugëtim USAID-in, menaxhmentin e projektit TEAM, Jeton Cana, Afërdita Mekuli e Agim Salihu, si dhe këshilltarët e projektit për Komunën e Gjilanit, Ibadete Guri (prokurim), Mirlinda Ahmeti (auditim) dhe, Gazmend Ahmeti (financa). /2LONLINE.com/

KOMENTE