Mostrat për testim të pacientëve nga Gjilani, të cilat janë marrë nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), nuk janë testuar ende dhe kështu po kemi vonesë nga ana e tyre për t’i ditur rezultatet dhe vepruar pastaj mbi ato të dhëna, andaj këto vonesa edhe kanë refleksione negative, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se kjo dukuri e vonesave të rezultateve po ndikon negativisht, në uljen e rasteve dhe është kundër qëllimeve të vetë IKSHP-së. Pacientët potencial me COVID19, të cilët presin për rezultate nga dy ose tri ditë, janë rreziku kryesor potencial i rritjes dhe shumëfishimit të pandemisë tek qytetarët.
“I bëjmë apel Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që t’i trajtojë sa më shpejtë mostrat e marra dhe të mos shkaktojnë vonesa, sepse çdo vonesë po na shkakton vështirësi në menaxhimin e këtyre rasteve dhe rritjes potenciale të rasteve të reja nga kontaktet me ta”, ka apeluar nënkryetari Ismajl, transmeton 2LONLINE.com.