(2L ONLINE) – Besim Ismaili Kryetar i Bordit të KF Dritës, u shpreh i kënaqur me klubet pjesëmarrëse dhe me lojërat e tyre të mira në turneun memorial Bezi-Raci-Reshi që organizohet nën patronatin e komunës së Gjilanit në bashkëpunim me KF.Drita.
Ai tha se udhëheqësia e KF.Dritës është ideatore e turneut i cili do të jetë i përvjetshëm dhe do të organizohet në nderim të veprës së Selami Osmanit Bezit, Kemajl Halimit Racit e Reshat Osmanit Reshi, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm për futbollin Gjilanas.
Ismaili tha se ky turne, është i dyti me radhë që organizohet nën patronatin e komunës në bashkpunim me KF.Dritën, Ai shtoi se këtë vit kishin menduar të ftojnë një ekip nga Maqedonia, mirëpo kjo gjë nuk u realizua për arsye të ndryshme, por shpresohet që vitin e ardhshëm në këtë turne të sjellin klube pjesëmarrëse nga rajoni, që ky turne të bëhet edhe më madhështorë dhe do të mundohen që mos të jetë turne një ditor.
“Ne të shtunën u mblodhëm ne vendin ku Bezi-Raci dhe Reshi dhanë gjithçka çka paten gjatë kohës së tyre, na dhanë epitetin e kryeqytetit të futbollit. Ne do të vazhdojmë ti nderojmë figurat e qytetit tone, sepse e meritojnë dhe duke i nderuar ata, nderojmë dhe kujtojmë historinë e klubit tone”, tha Ismaili.
Ai ka falënderuar klubet pjesëmarrëse, tifozët, Kryetarin e FFK, Fadil Vokrrin, Kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin dhe të gjithë të pranishmit që ishin të shtunën në stadium. /2L ONLINE/