Klubi Futbollistik “Drita” mund të përfundojë në procedurë disiplinore për shkak të mos kryerjes së obligimeve ndaj futbollistit Përparim Osmani, i cili luajti për gjashtë muaj si i huazuar te skuadra ‘bardhekaltër’.
Merret vesh se Osmani e ka paditur Dritën në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe se skuadra gjilanase nuk u është përgjigjur thirrjeve të para.
Lënda tashmë ka kaluar te Komisioni Disiplinor, i cili ka marrë vendim që ta presë klubin gjilanas deri të hënën më 23 dhjetor dhe më pas të vazhdojë me procedurat e radhës.
Osmani e kishte paditur Dritën për dy paga të cilat nuk i mori në fundin e kontratës dhe u kontestuan nga klubi gjilanas, pasi që ishte i huazuar nga FC Prishtina, por tashmë ‘bardhakaltërit’ janë të detyruar ta paguajnë anësorin prishtinas, shkruan gazeta Sheshi.
Në rast të mos kryerjes së këtij obligimi, klubin gjilanas mund ta pret dënimi. Gjoba e parë pritet të jetë me të holla, ndërkohë ajo e dyta edhe me heqje të pikëve.
Tashmë është në dorën e klubit gjilanas për të vepruar, derisa i kanë në dispozicion edhe pak ditë deri në ditën e afatit të fundit.