Për Erdin Hashanin, ish-futbollistin e disa skuadrave të njohura në vendin tonë është më mirë që skuadra e Gjilanit të mbetet pjesë e Superligës për shkak të organizimit të mirë brenda klubit dhe tifozëve që iu nevoiten kampionatit elitar.
“Do të ishte mirë që Gjilani të mbetet në Superligë. Për të mirën e futbollit, për të mirën e futbollistëve. Gjilani është një klub që ka investuar shumë, pavarësisht se disa gjëra në menaxhim kanë dështuar, kështu që për futbollin e Kosovës do të ishte më mirë që Gjilani të jetë sërish pjesë e Superligës. Derbi Gjilani – Drita i duhet Superligës, pasi që ishim dëshmitarë të finales së Kupës kur nuk pati shumë tifozë”, deklaroi Hashani.
Më tej Hashani ka dhënë edhe arsye të tjera për të cilat i favorizon gjilanasit para pejanëve.
“Gjilani është shumë më i organizuar se Besa, pavarësisht se Besa është njëri ndër klubet më të trofeshëm në vend. Po të ishte Besa e viteve të mëhershme nuk do të ishte larguar fare nga Superliga. Do ishte më mirë që të qëndrojnë edhe një vit në Ligën e Parë, ti marrin disa mësime dhe pastaj ta kërkojnë Superligën”, shtoi ndër të tjerash ai.
Gjilani dhe Besa do ta diskutojnë Superligën në ndeshjen e barazhit të 30 majit.
Aktualisht Hashani drejton klubin e Dardanës nga Kamenica që bën gara në Ligën e Dytë të futbollit kosovar.