DYLON

Isa Mustafa e Lutfi Haziri janë zotuar për mbështetje të rininë në Gjilan

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë vizituar sot shtëpinë e rinisë në Gjilan dhe janë zotuar për një mbështetje të fuqishme për këtë sektor, përmes financave nga dy nivele të qeverisjes, atij qendror dhe lokal.

Me këtë rast kryeministri Mustafa ka thënë se qeveria e Kosovës këtë vit do të përfundoj ndërtimin e shumë objekteve të qendrave rinore dhe qendrave sportive, sikur që ka ndodhur me qendrën për rini në Gjilan.

EkoHigjiena

“Si qeveri jemi të interesuar që të investojmë për rininë edhe në objekte që dedikohen si qendra kulturore dhe rinore, por edhe në qendra sportive. Kanë mbetur mjaftë shumë objekte sportive, dhe këtë vit mund t’i përfundojmë dhe jemi të interesuar që përfundimisht edhe me fudbollin të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare si në UEFA dhe FIFA. Do të bëjmë përpjekje që këtë ta përmbyllim gjatë muajit maj dhe do të jetë një sukses i madh veçmas për rininë dhe kërkesat tuaja për sportin”, ka thënë në fjalën e tij kryeministri Mustafa, duke potencuar se inventarizimin e objektit do ta bëjë Komuna e Gjilanit, sipas kërkesave dhe nevojave të rinisë gjilanase.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndërtimi i shtëpisë së rinisë, është investimi më i madh në infratrukturën e kulturës dhe rinisë në përgjithësi nga buxheti i qeverisë.

“Shtëpia e rinisë sot është e përfunduar në aspektin e ndërtimit dhe tashmë jemi duke punuar në renovimin e objektit të Teatrit të Qytetit. Në të njejtën kohë është duke u punuar në përzgjedhjen e projektit të Stadiumit të Qytetit, që është duke u bërë gati për garat ndërkombëtare. Në këtë objekt të rinisë do të vendoset KVRL, organizatat e studentëve, organizatat e shkollave të mesme dhe OJQ që merren me problemet e rinisë. Po punojmë që rinisë të pavarësohet në aspektin e menaxhimit, por duke subvencionuar me buxhet komunal”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri ka thënë se këtë vit janë 1.2 milionë euro mbështetje për rininë, kulturën dhe sportin në Gjilan nga buxheti i Komunës dhe ai i qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, kryeministri Mustafa dhe kryetari Haziri me bashkëpunëtorë, kanë vizituar edhe fabrikën për prodhimin e radiatorëve “Enrad” në Gjilan, nga ku kanë motivuar investitorin që të vazhdohet kështu me këtë praktikë të mirë dhe të fuqishme në prodhime, e posaçërisht prodhime vendore që janë të kualitetit të lartë dhe konkurrent të fuqishëm në tregun Evropian dhe më gjerë. /2L ONLINE/