IPK monitoron reagimin policor gjatë protestës dhe fillon hetim paraprak për vlerësimin e veprimeve policore dhe përdorimit të forcës
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në kuadër të mandatit ligjor dhe sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për realizimin e këtij monitorimi, IPK ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj të cilët kanë përcjellë nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.
Në ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.
IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.
IPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit. /2LONLINE/
