DYLON

IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve

IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve
Avatar photo Redaksia

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar dje në orët e mbrëmjes një zyrtar policor (i stacionit policor Jugu në Prishtinë) me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Informacionet e para hetuesit e IPK-së i kishin pranuar përmes rrugëve operative – hetimore ky zyrtar policor nuk ishte duke ju përmbajtur Aktvendimit të Gjykatës Themelore ne Prishtinë e cila kishte vendosur për të njëjtin masën e arrestit shtëpiak (lidhur me një rast ku zyrtari ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare).

EkoHigjiena

Bazuar në këtë informacion IPK kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të verifikonte se a është duke e zbatuar masën e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, mirëpo zyrtarët policorë nuk kishin hasur në të dyshuarin e lartcekur në shtëpinë e tij e as në objektet përcjellëse.

Hetuesit e IPK-së më vonë janë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe gjatë kontrollit i njëjti dyshohet se ka lëshuar në tokë një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Pas këtyre veprimeve, zyrtari policor është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës. /2LONLINE.com/