Investimi në kulturë nuk sjell vota, por shpëton breza
Shkruan: Ardian Azemi
Nuk po flas vetëm për qeverinë Kurti. Po flas për të gjitha qeveritë e Kosovës, pa përjashtim.
Një nga gabimet më të mëdha që i kemi bërë këtij vendi është se kulturën e kemi trajtuar si luks, e jo si nevojë kombëtare. Kemi investuar në gjithçka që sjell efekt të shpejtë elektoral, kemi shpërndarë disa qindra miliona euro në prag zgjedhjesh, ndërsa e kemi lënë pas dore atë që ndërton qytetarinë, identitetin dhe vetë shtetin.
Bëjani vetes disa pyetje të thjeshta.
– Sa teatro moderne janë ndërtuar ose rinovuar në Kosovë?
– Sa shtëpi kulture janë ngritur apo janë kthyer në qendra të gjalla aktivitetesh?
– Sa kinema funksionale kemi sot?
– Sa është investuar seriozisht në filmin shqiptar që t’ia tregojë botës të vërtetën tonë historike dhe ta ruajë kujtesën tonë kolektive?
Përgjigjja është e dhimbshme.
Kultura është edukim bre. Është identitet. Është mënyra se si një popull e formon karakterin e brezave të rinj.
Po të kishim teatro moderne, fëmijët dhe të rinjtë do të rriteshin më afër artit sesa banalitetit. Po të kishim shtëpi kulture me aktivitete të përditshme, ato do të ishin vende ku të rinjtë krijojnë, mësojnë, debatojnë dhe zhvillojnë talentin e tyre. Po të kishim kinema moderne me repertor të pasur, do të krijonim publik me kulturë artistike dhe mendim kritik. Po të investonim më shumë në film, historia jonë nuk do të mbetej vetëm në libra, por do të fliste në ekranet e botës.
Nëse nuk ua ofron të rinjve hapësirat ku mund ta zhvillojnë mendjen dhe talentin, mos u çudit kur ata e kalojnë jetën në rrjete sociale, kur bien pre e dukurive të dëmshme ose kur humbin besimin se mund të bëjnë diçka me vlerë.
Një teatër nuk prodhon vetëm aktorë. Një kinema nuk prodhon vetëm filma. Një shtëpi kulture nuk organizon vetëm aktivitete. Të gjitha së bashku prodhojnë qytetarë më të kulturuar, më të përgjegjshëm dhe më të lidhur me vendin e tyre.
Për fat të keq, për dekada me radhë kultura nuk është parë si investim, por si shpenzim. Sepse nuk sjell vota brenda një mandati. Ndërsa pasojat e mosinvestimit në kulturë i paguajmë për breza të tërë.
Një gjë tjetër më ka bërë gjithmonë përshtypje. Artistë kemi parë shpesh në Kuvendin e Kosovës, por kurrë nuk i kemi dëgjuar të ngrenë zërin me këmbëngulje për teatrin, filmin, kinemanë, shtëpitë e kulturës dhe politikat kulturore. Kultura nuk duhet të kujtohet vetëm në ditë festash apo kur ndahen grantet. Ajo duhet të jetë një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet shteti.
Shteti bëhet i fortë me kulturën që kultivon, me historinë që rrëfen dhe me qytetarët që edukon. /2LONLINE/
