DYLON

Intervista e Hazirit për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, New York

Avatar photo Redaksia

Kreu Ii Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka postuar në profilin e tij zyrtar në facebook intervistën që e ka dhënë për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, New York, NY, USA. Ja postimi:

Illyria: Zoti Haziri, ju ishit në SHBA, së pari, për një konferencë të organizatës ndërkombëtare të qyteteve simotra. Çfarë mund të fitojnë qytetet e Kosovës nga bashkëpunime të tilla me qytete të tjera të botës?

EkoHigjiena

Haziri: Kosova tani gjendet në një periudhë të rëndësishme të tranzicionit nga statusi i një vendi të pas-luftës, në një vend të zhvillimit dhe demokratizimit të mëtutjeshëm. Organizatat si SCI janë mënyrë shumë e mirë për të ndikuar në rritjen e zhvillimit shoqëror, ekonomik, por edhe kulturor në Kosovë e vecanërisht në rritjen e njohjes globale të Kosovës. Kosova ka nevojë ende të marrë përvojnë e vendeve të zhvilluara. Këtu përfshihen edhe qytetet tona që mund të përfitojnë në shumë fusha nga bashkëpunimi që ne kemi nisur me Sister Cities International – si psh në fushën e shkembimeve arsimore, në kulturë, projekte të zhvillimit ekonomik lokal, etj.

Illyria: Ju patët edhe takime me investitorë. Çfarë kushtesh ofron për ta Gjilani dhe në një shkallë më të gjerë Kosova? Nganjëherë lajmet nga vendi i dekurajojnë ata që duan të investojnë, si është realiteti?

Haziri: Fatkeqësisht, Kosova ende vazhdon të vuaj nga ngecja ekonomike si dhe varfëria. Ky është edhe problemi më madhor me të cilin ballafaqohen vendi ynë. Këtu, normalisht, përfshihet edhe Gjilani. Mirëpo, ne nuk guxojmë që për as edhe një minute të humbasim shpresën dhe të dorëzohemi. Zhvillimi ekonomik mbetet sfidë madhore e vendit tonë, por është sfidë gjithësesi e tejkalueshme. Ne kemi resurse të mjaftueshme që garantojnë zhvillim të mirëfilltë ekonomik për vendin tonë: kemi depozita të rëndësishme të mineraleve dhe resurseve tjera natyre, dhe mbi të gjitha kemi kapital njerëzor. Kemi rini të shëndoshë së cilës duhet dhënë vetëm mundësia. Prandaj, vendi ynë, ka nevojë të madhe për investime të huaja, sepse janë pikërisht këto investime që u japin mundësi zhvillimi kapaciteteve tona njerëzore, pra rinisë sonë. Sikurse Kosova edhe Gjilani është i begatuar më të mira natyrore dhe njerëzore. Unë besoj fuqishëm që me bashkëpunim konstant miq tanë nëpër botë e vecanërisht ata në SHBA e Kanada ky vec kemi filluar edhe bisedimet e para për të sjellë në Gjilan investitorë nga këto vende. Investimet e huaja janë cështje biznesi dhe profiti. Është gabim të mendohet ndryshe. Nuk janë investimet e huaja cështje humanitare. Prandaj, ajo që duhet të ofrojmë ne edhe si qeverisje lokale edhe si qeverisje nacionale në Kosovë është një platformë atraktive të të bërit biznes që investitorit I sjellë përfitime më të mira në vendin tonë sesa në vendet tjera, duke I përfshirë edhe ato të rajonit. Në këtë aspekt, ne po ecim mbarë besoj. Gjilani së fundi ka fituar edhe një cmim ndërkombëtar ne Zvicër për menaxhim efikas dhe për atraktivitet të biznesit. Edhe nga kjo vizitë besoj se do të sjellim në Gjilan një investim modest por kuptimplotë nga SHBA-të. Të gjitha indikacionet janë positive në këtë drejtim.

Illyria: Si mund t’i përshkruani takimet në Shoqatën Ndërkombëtare të Administrimit të Qytetit në Washington DC? A ka hapësirë në Gjilan për të zbatuar ide apo përsëritur përvoja tashmë të studjuara dhe të promovuara nga kjo organizatë?

Haziri: Po, International City Management Association (ICMA) ka përvojë mëse 100 vjecare në fushën e menaxhamit të qeverisjes lokale nëpër botë. Me udhëheqësit e ICMA-s u dakorduam që në Gjilan të fillojmë me një projekt konsulent të sponzoruar nga ICMA për të ofruar zgjidhje të mirë për planifikimin e trafikut urban si dhe për të bërë një studim strategjik për mënyrën më të mirë të përpilimit të marrëveshjeve të partneritetit publiko-privat. Unë besoj se një delegacion i ICMA-s do të vij në Gjilan për të realizuar këto dy projekte deri kah fundi i këtij viti. Ndërkohë, unë pata nderin që të marrë edhe një ftesë zyrtare nga ICMA për të qenë pjesëmarrës në konferëncën e tyre vjeorë të 101-të në shtator në Seattle.

Illyria: Si është raporti i komunave me qeverinë qendrore në Kosovë? Për shembull në rastin e Gjilanit. Si ndikon kjo në punën tuaj?

Haziri: Sic mund ta dini, unë kam qene Minister themeltar i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Kryetar themeltar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Prandaj, si një politikan që ka shërbyer në nivel lokal dhe në atë qëndror, unë nga përvoja i kam të kjarta shumë mirë sfidat dhe modelet e suksesshme të bashkëpunimit në mes këtyre dy niveleve të qeverisjes. Casja ime në këtë aspekt është thuajse dualiste—nga njëra anë duhet kuptuar se qeverisja lokale është bazament i mirëqeverisjes; dhe nga ana tjetër nuk duhet harruar se pa një qeverisje koherente nacionale nuk mund të ketë sukses as në aspektin lokal të qeverisjes. Besoj se tani relacionet qeverisje lokale – qeveri nacionale janë të mirë, korrekte, por ka mundësi të përparohet edhe aty. Pas procesit të decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja në Kosovë, neve na duhet një reformë gjithëpërfshirëse e qeverisjes lokale. Unë besoj se këtë ne do ta bëjmë me sukses, bile këtu do të kemi edhe mbështetjen e ICMA-s.

Illyria: Kemi ish-kryetarë të komunash në burg, të rrëzuar apo në qendër të kritikave të medias dhe grupeve të ndryshme. Ju keni pasur kundërshtarët dje kritikët tuaj, mirëpo në fund jeni rizgjedhur dhe ka pasur lajme pozitive në rritje për Gjilanin. Si e shpjegoni këtë sukses?

Haziri: Korrektësia, sinqeriteti, dhe puna me përkushtim! Këto janë tri shtyllat që të mbajnë suksesshëm në politikë. Dhe, unë do të vazhdoj t’i qëndroj besnik këtyre atributeve. Përndryshe, mbijetesa në politikë bëhet e pamundur. Fatkeqësisht, ne kemi patur njerzë të padenjë që në një moment të caktuar kanë ardhur në pozita udhëheqëse, mirëpo sic duket ata më në fund e kanë marrë përgjigjen meritore. Mirëpo, edhe një gjë duhet ta kemi parasysh: të merresh me politikë në Kosovë apo në secilin vend në tranzicion nuk është fare e lehtë. Është një sakrificë – personale por edhe familjare. Prandaj, vetëm ata që kanë ideale dhe synime vizionare për të mirën publike dhe kombëtare munden që me sukses t’i bëjnë këto sakrifica jo të lehta. Suksesin tim në politikë, përpos tri atributeve kryesore të lartëcekura, ia dedikoj edhe përkrahjës së parezervë të familjes, shoqërisë, dhe partisë sime LDK-së që nga koha e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugovës nga I cili jam krenar të kem marrë mësimet kryesore të poltikbërjes.

Illyria: Ju jeni ngarkuar edhe me detyrën e vëzhgimit dhe vlerësimit të punës së qeverisë. Si po funksionon ky bashkëpunim i ri mes LDK-së dhe PDK-së? Cilat janë sfidat kryesore?

Haziri: Bashkëpunimi deri më tani është korrekt. Ende ka një pjesë të marrëveshjes së koaliconit që duhet zbatuar. Sfidat nuk janë të lehta, por gjithësesi të kalueshme. Sfida kryesore janë zhvillimi ekonomik, qeverisja efektive, dhe thellimi i njohës ndërkombëtare të Kosovës. Nën udhëheqjen e Akademik Isa Mustafës si kryeministër, qeveria e Kosovës ka kapacitete të bëjë ecje të rëndësishme drejt kalimit të këtyre sfidave. LDK në qeveri përfaqësohet nga njerzë të përkushtuar për të mirën e vendit, dhe unë besoj se sukseset nuk do të mungojnë.

Illyria: Në Washington bëtë një takim në Departamentin e Shtetit. Për çfarë diskutuat aty dhe si e vlerësoni ndkimin e Shteteve të Bashkuara në këtë periudhë në Kosovë?

Haziri: Sic mund ta merrni me mend, temë kyce e diskutimit ishte Gjykata Speciale. Nga z. Yazdgerdi, drejtor për Evropë në Departamentin e Shtetit, na u shprehën falëmnderime për përkushtimin e LDK-së në kalimin e amandamenteve kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale në kuadër të sistemit legal të Kosovës, dhe u kërkua që Kosova ta mbajë këtë proces nën kontrollë për të mirën e vet dhe të mos lejojë që kjo të bëhet mandej nga OKB dhe Këshilli i Sigurimit. Ne jemi të përkushtuar që të mos e lëndojmë miqësinë me SHBA-të. Është e pakuptimtë që Kosova të dyshojë në politikën amerikane ndaj Kosovës. Nëse ne ndonjëherë kemi patur miqë të sinqertë në arenën ndërkombëtare, atëherë ata janë amerikanët. Vetëm në miqësi permanente më SHBA-të, Kosova mund të zhvillohet tutje dhe të arrijë sukses si shtet i ri.

Illyria: A patët kohë të takoheni me miq e dashamirës gjatë kësaj vizite në SHBA? Me çfarë përshtypjesh e përfundoni këtë vizitë?

Haziri: Shumë pak. Agjenda ishte shumë e ngarkuar dhe koha e lirë ishte tepër e limituar. Sidoqoftë, unë pata mundësi që të takohem me miqë të mi këtu dhe të bashkëbisedojmë me ta për cështje me rëndësi për Gjilanin dhe Kosovës. Nga ky udhëtim ndahem i kënaqur dhe njëherit i ngarkuar me punë dhe obligime të reja për të mirën e Gjilanit dhe Kosovës.

https://www.facebook.com/hazirilutfi/posts/1047492071957858