(2LONLINE) – Në Kosovë, pas përfundimit të luftës së fundit të vitit 1999, të një lufte të përgjakshme, me viktima te shumta, dëme materiale, e shumë të zhdukur, fati i të cilëve ende nuk dihet, na mbeti shumë dhimbje, të cilat as koha nuk po mund ti shërojë. Po, ne jemi të vetëdijshëm që pa këto sakrifica dhe pa luftën e inicuar nga çlirimtarët e Kosovës, me kontribut të ndryshëm, duke filluar prej atyre me pushkë, duke vazhduar me ata me diplomaci, ata me kontribut financiar e arsimor, e duke përfunduar me ata që kaluan rininë nëpër burgje. Të gjithë këta troç, secili n mënyrën e vet, na sollën këtë gjysmështeti që sot po e “gëzojmë”.
Ndër problemet më të mëdha në Kosovë është edhe lufta se kush ka merita më shumë për këto të arritura. Në fushatat partiake në Kosove kishte parulla si “Ushtria e Ibrahim Rugovës”,“Ushtria e Hashim Thaçit” etj. që po e degradojnë luftën çlirimtare. Lufta çlirimtare nuk bën të personalizohet, e aq më pak nga ata individë të cilët në emër të luftës iu vërsulën pushtetit, e pastaj me ardhje në pushtet, degraduan personalitetin e tyre duke u zhytur në korrupsion, lakmi për xhipa e miliona në emër të luftës.
Interpretimi i një lufte apo thirrje në emër të luftës, ndarja në klase si krahu i luftës dhe krahu i paqes, duke përçarë popullin, këtë popull të varfër e me shumë problem, duke quajtur njëri- tjetrin tradhtar dhe duke qeverisur bashkë në shumë procese, konkludon që po luhet me ndjenjat e popullit dhe populli shihet si një kartë pokeri të cilit mundohen ti ndryshojnë kahjen e mendimeve për përfitime personale.
Kontributi për atdhe që për qëllim ka përfitimin personal, nuk mund të quhet kontribut i sinqertë. Vetëm duke kontribuar për të mirën e përgjithshme, për një atdhe të barabartë për të gjithë, mund të llogarisim se kontribuar drejtë. Rruga e çlirimit nga Serbia, si dhe kërkimi për bashkim kombëtar ka filluar shumë breza më parë, e si duket edhe do të vazhdojë, por tani jo me luftë, por përmes proceseve politike.
Mirëpo disa nga politikanët tradhtuan edhe ëndrrat e veta, e bile disa prej atyre i druhen bashkimit kombëtar sepse nuk e llogarisin bashkimin kombëtar si fuqizim të shqiptarëve, porsi minimizim të pushtetit dhe ndikimit të tyre. Unë njoh shumë çlirimtarë të cilët kurrë nuk më treguan, por kam dëgjuar nga të tjerët për kontributin e tyre në shumë luftëra. Njoh shumë çlirimtarë të cilët kanë problem për mbijetesë dhe për të siguruar kafshatën e gojës, për t’i shkolluar fëmijët.
Interpretimi i një lufte dhe interpretimi i meritave shkoi deri në atë shkallë ku disa dëshirojnë ta shpikin edhe kombin kosovar me shqiptarë nga Kosova, këtë politikë e cila dëmton identitetin tone. Askush nuk është duke menduar se populli është mbi të gjitha, e kjo së fundi u tregua në protestat e muajit shkurt 2014 në rektorat, ku populli e filloi një proces vetëdijesimi, i cili e mësoi se në fund të ditës vendos populli sovran.
Individë të ndryshëm duke luftuar se kush ka merita më shumë për Kosovën paskan harruar edhe t’i edukojnë fëmijët e tyre, ku tash disa prej tyre në emër të kontributit të prindërve të tyre i është dhënë liria që t’i rrahin policët për një gjobë dënimi dhe disa të tjerë të cilët në emër të imazhit familjar njollosën edhe ambasadat e huaja brenda Kosovës, organizime e struktura kriminale për të përfituar para.
Interpretimi i një lufte për të mirën e popullit është atëherë kur pas përfundimit, udhëheqësit e saj e bëjnë gjithçka në dobi të popullit dhe politikat e tyre adresohen betimeve dhe amanetit të dëshmorëve në kohë lufte.
Lufta në Kosovë është në rrezik të njolloset çdo ditë e më shumë, e sidomos në këtë kohë ku shumë zyrtarë qeveritar të cilët ishin pjesë kyçe e luftës po akuzohen për korrupsion, krim. Kjo bëhet më keq kur sheh këta persona prapë vazhdojnë të udhëheqin me institucione. Detyrimisht kjo krijon një imazh të keq për Kosovën dhe nëse nesër ndodh arrestimi i tyre njollosen edhe iniciativat çlirimtare si lufta e fundit.
Në rast të politikbërjes së dinjitetshme të këtyre personave nuk do të ishte e nevojshme as edhe një shkrim i tillë, sepse do të shkruanim se politika në Kosovë po mbron interesat shqiptare brenda dhe jashtë teritorit të Kosovës. Si do të na ndryshonte ky mendim duke mos biseduar me Serbinë, pa kërkuar falje për krimet ndaj kombit Shqiptar,pa i kthyer kufomat e zhdukura.
Dhe në fund, e gjithë kjo tufë politikanësh të vetëshpallur si krahu i luftës dhe krahu i paqes po arrin marrëveshje me vrull e shpejtësi në dëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës me Serbinë, e të gjitha këto marrëveshje pa marr pëlqimin e popullit dhe njëkohësisht duke keqpërdorur besimin e votës së tyre. Këto probleme dhe shume probleme të tjera si puna e privatizimit, nuk mund të zgjidhen pa një vetëdijesim të madh shoqëror, i cili do të kulmonte me ndëshkimin e të gjithë atyre të cilët kontribuuan në krijimin e kësaj krize të madhe ekonomike. Këta njerëz të cilët dëmtuan interesin shoqëror duke i dedikuar gjithçka interesit privat,duhet të përballin me ndëshkimin demokratik, që është vota e popullit.
/Leonard Miftaraj/
/Student në master drejtimi:Menaxhment Udhëheqës I nënkomitetit për ekonomi pran Lëvizjes Vetëvendosje! – Gjilan/