DYLON

Intelektualit dhe patriotit të madh të Anamoravës, Xhemajl Arifit (Mulla Xhemë Sllatina), armiqtë serbo-sllav i humbën edhe gjurmët e varrit të tij

Intelektualit dhe patriotit të madh të Anamoravës, Xhemajl Arifit (Mulla Xhemë Sllatina), armiqtë serbo-sllav i humbën edhe gjurmët e varrit të tij
Avatar photo Redaksia

Shkruar nga Sami ARIFI

Xhemajl Zeqir Arifi, që në kujtesën historike të popullit ishte i njohur si Mulla Xhemë Sllatina, u lind në vitin 1914 nga nënë Arifja dhe babë Zeqiri në Sllatinë të Epërme të Anamoravës. Shkollën fillore dhe studimet e larta i kreu në gjuhën serbe, meqë shkollimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe ishte i ndaluar gjatë kohës së pushtimit të trojeve shqiptare nga Mbretëria e  Jugosllavisë. Mulla Xhemë Arifi-Sllatina shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa studimet e larta në medresenë e quajtur “Gazi Ias Beg” në kryeqytetin e vilajetit të Kosovës në Shkup.

EkoHigjiena

Xhemajl Arifi (Mulla Xhemë Sllatina), e ndjente obligim në shpirt që të ishte aty ku mund të kontribuonte për çështjen kombëtare për shporrjen njëherë e përgjithmonë të pushtuesit serb që ishte gjenocidial kundër ekzistencës fizike të popullit shqiptar.

Në fillim të prillit të vitit 1941, i vëllai i Mulla Xhemës, Ahmet Zeqir Arifi, disa vjet më i moshuar gjendej në shërbimin ushtarak të Jugosllavisë Versajase. Kapitullimi i Jugosllavisë, vëllain e Mulla Xhemës e gjeti në rrethin e Mitrovicës, ku përjetoi masakrën mbi ushtarët shqiptarë në njësitin e kapiten Kaliqaninit gjatë tërheqjes nga Kosova para vërshimit të ushtrisë hitleriane. Nuk dihen rrethanat në të cilën vëllain e Mulla Xhemës, Ahmetin e bashkuan me atdhetarin Sherif Vocën, por dihet sakt se Ahmeti i priu Sherifit në përpjekjen e fundit për të dalë nga rrethimi i ushtrisë së kapiten Kaliqaninit. Në të dalë nga Mitrovica rojet serbe dyshuan se gruaja e mbuluar me ferexhe mund të ishte Sherif Voca, ndaj i ftuan që të ndaleshin, Ahmeti ishte i veshur me rroba civile, por që të dytë kishin armë të maskuara dhe nuk u dorëzuan. Pas një rezistence ballë për ballë, duke vrarë në dyluftim shumë ushtarë serbo-sllav, Sherif Voca dhe Ahmet Arifi përfunduan jetën si dy fatos të Shqipërisë Etnike… Populli i Mitrovicës i varrosi njërin pranë tjetrit në oborrin e xhamisë “Hysen Çaush”, që në popull njihej si “Xhamia e Haxhi Veselit”.

I vëllai, Mulla Xhema, u informua menjëherë për vdekjen heroike të dy fatosëve, por ai zgjodhi xhumanë për t’i bërë nderimet pranë varrezave të tyre, pas faljes së xhumasë ai mbajti një fjalim të zjarrtë në oborrin e xhamisë për dy dëshmorët e kombit dhe bëri që me oratorinë e tij, fjalimin me karakter të një eprori ushtarak të përgatisë masën popullore që mos të kursej as jetën për lirinë e atdheut, për ribashkimin e plotë të Nënës Shqipëri…Mulla Xhema kishte rolin për mobilizimin dhe stërvitjen e vullnetarëve, në Moravën e Epërme, për luftë të të rinjve shqiptarë në mbrojtjen e Kosovës…

Mulla Xhema fillimisht ishte imam i xhamisë së Sllatinës dhe i zgjedhur kryetar i “Këshillit të Gjyqit të Paqit“, për Moravën e Epërme si dhe në ditët më të vështira ishte i zgjedhur nga populli kryetar i komunës  së Sllatinës së Epërme, ai ishte një ushtarak i mirëfilltë një patriot i stolisur me sinqeritet të madh. Puna në “Këshillin e Gjyqit të Paqit” ishte me interes kombërar në mbrojtjen e atdheut.

Në mbledhjen e SHK (Shtabit Krahinor) të UNÇ (Ushtrisë Nacional Çlirimtare) dhe APK (Aradheve Partizane të Kosovës), qëndrimi i Xheladin Kurbaliut, ishte vlerësuar si opurtunist, me prapavijë nacionaliste, dhe si i tillë ai gjykohet rreptësishtë dhe shkarkohet nga komandanti i arradhës. Ai ishte tërhequr nga shtabi i aradhes me mjeshtri në shkurt të vitit 1943, dhe, kishte shkuar në Sllatinë nëpër borë e të ftohtë për tu vendosur te njeriu besnik dhe trim, Mulla Xhemë Arifi (Sllatina), i cili ishte kryetar i Komunës së Sllatinës. Xheladini iu kishte lutur Mulla Xhemë Arifit (Sllatinës) që në besë ta dërgojë deri në Gjilan te nënprefekti i Gjilanit, Rifat Berisha. Mulla Xhema të nesërmen e kishte dërguar me çejzen e tij te Rifat Berisha për ta ndihmuar Xheladinin, mirëpo Rifati ishte i pafuqishëm për rastin për ta ndihmuar. (Marrë nga Libri Pozherani në Përpjekje të Autorit Nysret Hajdari: Më gjerësisht: Mr. Adem Murati, Ramadan Agushi-veprimtar…Prishtinë,2003, fq,68; Hysen Terpeza, Informatë, Stamboll, më 14.10.1992. (dhënë nga autori A.M.)

Janë të njohura dy luftërat e rëndësishme të Velegllavës më 28 qershor 1944 dhe ajo e Kikës me 26 korrik të vitit 1944, jo vetëm që ai bëri stërvitjen e të rinjve shqiptarë për këto dy luftëra por edhe mori pjesë të drejtpërdrejt në këto luftëra për të ndaluar depërtimin serbo-çetniko-jugosllav në trojet shqiptare, ku komandant i përgjithshëm i kësaj zone ishte Mulla Idriz Gjilani…

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pas rënjes së trojeve shqiptare nën okupimin serbo-sllav, Mulla Xhema vendosi që mos të largohej nga vendi, edhe se e dinte se e pret vdekja, dhe së fundi për çdo çmim eshtrat e tij donte të treten në tokën e Kosovës, ai thoshte: “shpirti im dua të mbetet në qiellin e Kosovës”… Xhema thoshte: „Konandanti nga beteja duhet të largohet i fundit, prandaj ai vendosi që të paktën eshtrat e tij të tretën në dheun e Kosovës, mos jo, shpirti i tij të jetë në qiellin e Kosovës, siç thoshte ai: “Meqë kufoma tretet në dhe, ndërsa shpirti ngritet në qiell mbi hapësirën e atdheut të tij”, ashtu edhe ndodhi, kufoma e tij u tretë në tokën e Kosovës, pa vend e shenjë të ditur, ndërsa shpirti i tij u ngritë mbi qiellin e Kosovës.

Ai më 19 dhjetor 1944 gjatë rrugës për në shtëpi, në të dalë nga Gjilani, ushtarët e OZN-së e arrestuan dhe e burgosën në Gjilan, e pushkatuan pa gjyq në ditën e ejte, më 22 dhjetor 1944, rreth orës 21:00 në kodrën “Popoviq”, përtej vendit “Doboje”, në afërsi të vendit sot “Bojana”, serbo-çetniko-komunistët i humbën edhe gjurmët e varrit të tij…

Partizanët serbo-çetnik, pas vrasjes së Mulla Xhemë-Sllatinës,  më 23 dhjetor 1944 atij i konfiskuan pasurinë e luajtshme, ndërsa bibliotekën shumë të pasur me libra, ia nxorën në oborr dhe ia dogjën me urrejtje të tërbuar antishqiptare…Veprimtaria e intelektualit dhe atdhetarit të madh Mulla Xhemë Sllatinës nuk mund të përmblidhet përmes një artikulli gazetaresk, meqë ajo është e bujshme dhe shumëdimensionale…

Bashkëvendësit, veprimtarë, bashkëpunëtorë me Mulla Xhemë Sllatinën, ca i pushkatuan pa gjyq si Muhabi Nuhiun-Drugzanin, Sylejman Ymerin si dhe bashkëvendësit tjerë që vepruan për çështjen kombëtare i dënuan gjykatat serbo-komunisto-çetnike në burgje me dënime të rënda kapitale… /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.