DYLON

Intelektuali guximtar që la gjurmë në zhvillimin kulturorë të Anamoravës

Intelektuali guximtar që la gjurmë në zhvillimin kulturorë të Anamoravës
Avatar photo Redaksia

Intelektuali guximtar që la gjurmë në zhvillimin kulturorë të Anamoravës.

Kontribut domethënës në themelimin e Teatrit të Gjilanit

EkoHigjiena

Prof. Ibrahim Shabani
(1932 – 2025)


Nga Isak N. Bilalli

Si shumë nga veprimtarët e kohës, Ibrahim Shabani është një nga pishtarët e fjalës shqipe që përzgjodhi mësuesinë për të qenë në shërbim të çështjes kombëtare dhe avancimit kulturorë të shqiptarëve. Ai, ishte një mësues ndryshe nga gjithë të tjerët që mësuesisë i dha vlera të shtuara por para së gjithash vlera të tilla të tejçmuara arriti të realizojë në kulturë, bibliotekari, teatër e zhvillimin e politikave arsimore.  

Fillimi i karrierës së tij me ditar në dorë nëpër fshatra të ndryshme të Anamoravës ishte pikënisja e një rrugëtimi të vështirë, plot e përplot sfida të cilat i mposhti falë pasionit dhe vullnetit për të mbjellë kulturë e atdhedashuri. Aftësitë e tija të shkëlqyera në artikulimin dhe avancimin e vlerave kulturore në njëfarë forme ishin arma e tij e fortë ndaj dhe ecejaket e tija kishin tendencën drejt zhvillimit  të tij profesional përtej punës direkte me nxënës e studentë.   

Profesor Shabani shquhej për guxim të pashoq dhe maturi intelektuale, virtyte të cilat i kishte të rrënjosura në karakterin e tij si pjesë e formimit të tij intelektual e njerëzor. Para së gjithash, profesori ishte nga ata që fliste pak por fjala e tij peshonte rënde sepse ai dinte kur të fliste dhe si i tille ishte një nga artikuluesit me racional ku fjala e tij bazohej në mbrojtje vlerash dhe drejtësi. Me pak fjalë, ai ishte nga ata intelektualë që në asnjë rrethane nuk bënte asnjë lloj kompromisi me parimet dhe duke qenë i tillë cilësohej si katalizator që dinte dhe mundte të vinte në lëvizje nismat zhvillimore në fushën e kulturës dhe arsimit.  

Ibrahim Shabani drejtues i institucioneve kulturore.

Postet drejtuese nuk ishin dhuratë për te por besim që vinte nga baza (bashkombësit) për te drejtuar me dorë të fortë institucionet fragjile të kohës. 1969 ishte viti kur ai u zgjodh drejtor i bibliotekës ame të qytetit,  por ne këtë post qëndroi për kohë fare të shkurtër duke i hapur rrugë ardhjes së shkrimtarit Ali Huruglica në krye të këtij institucioni dhe vete kaloi si drejtor i Teatrit të qytetit.

Vitet ’70-ta ishin vite kur shqiptarëve po i mundësohej marrja e përgjegjësive si pjese e autonomisë vetëqeverisëse e për rrjedhojë në sektorin e kulturës u vendosen nën një ombrelle; biblioteka, kinemaja, teatri, universiteti i punëtorëve si dhe shoqëritë kulturore-artistike që ishin pjesë e të drejtave kulturore që çdo komunitet gëzonte.

Ibrahim Shabani ishte një nga drejtuesit që dinte të merrte hapësirën që i takonte shqiptarëve të siguronin mbarëvajtjen e institucioneve kulturore.

Duhet te kujtojmë qe në dekadën e 70’të në mesin e shqiptarëve kishte mungesë të madhe të resurseve njerëzore për të plasuar në publik vlerat kulturore shqiptare ndaj edhe ne këtë linje strategjike ai arrin të sjell shkrimtarin Ali Huruglica në bibliotekën amë për të vendosur në këtë mënyrë themelet e krijimit të këtij institucioni në një qendër të rëndësishme kulturore.

Nën drejtimin e tij u arrit që të realizohet marrëveshja e bashkëpunimit me Rilindjen për furnizimin e bibliotekës me titujt nga Shqipëria si pjesë e shkëmbimit kulturorë dhe nisma të tjera për të ngritur nivelin e leximit.

Në po të njëjtën frymë, Ibrahim Shabani i rreket punës në krye të Teatrit të qytetit të cilit përveç godinës fizike i mungonte gjithçka. Gjate kësaj kohe kur ai merr drejtimin e teatrit gjenim vetëm shfaqje sporadike që realizoheshin nga mësues letërsie me grupe amatore nëpër qendra kulturore të fshatrave por nuk kishte nisma serioze dhe regjisorë e aktorë të kualifikuar për të patur një teater të mirëfilltë funksional.

Njësoj siç veproi me bibliotekën, Ibrahim Shabani, sjell ne teatrin e qytetit regjisorët nga Teatri i Kombësive të Shkupit, Muharrem Shahiqin e Fetah Mehmetin te cilëve iu hap rrugën ne vënien në skenë te kryeveprave letrare botërore dhe shfaqjeve me motive kombëtare shqiptare. Fale intuitës se tij përthithëse të talentëve të rinj ai shpejt arrin të grumbullojë në teatër një ekipi të madh aktoresh të rinj. Në memoaret e aktorit/regjisorit Ruzhdi Mehmeti, ai përshkruan Ibrahim Shabanin si një personalitet me integritet tejet të lartë, largpamës dhe shumë të guximshëm me vendimet që merrte. Ruzhdiu dëfton se ai ndiqte çdo nisme apo projekt kulturorë, ndaj dhe kishte rastisur ta shihte në rreshtin e parë të shfaqjes Fosilet në vitin 1972 që vihej në skene nga një grup amatorësh në shkollën e mesme të Gjilanit. Si duket i ndjeri Shabani e kishte piketuar me kohe Ruzhdiun si një aktor i denjë i teatrit dhe në kohën kur Ruzhdiu mbush moshën e duhur thërritet ne zyrë nga drejtori Shabani dhe i kumtohet lajmi se “ nga data 01 e muajit janar fillon punën si aktor ne teatër”. ky ishte lajmi me i papritur dhe me domethënës jetësorë qe një artdashës i ri mund te imagjinonte veprim i cili e nxiti këtë aktor/regjisor të jetë përjetësisht i lidhur me teatrin dhe skenën.

Ai kishte guximin të merrte vendime të drejta dhe pa i kaluar nëpër filtrat e strukturave politike apo këshillat artistike që dominoheshin gjithmonë nga serbët, vendime të cilat dinte ti mbronte dhe të qëndronte prapa tyre pavarësisht kundërshtive dhe përplasjeve që haste. Mënyra se si i merrte vendimet drejtori Shabani ishte t’i sillte para aktit të kryer strukturat që kontrollonin punën e tij.

Pothuajse njësoj veproi me të gjithë aktoret që i futi nën ombrellën e teatrit duke krijuar në një far forme gjeneratën e artë të artistëve që sot cilësohen themeltarët e këtij teatri me në krye veten e tij si një nga drejtuesit më të denjë të këtij institucioni.

Ibrahim Shabani nuk ishte aktor apo regjisor që të ishte aktiv në skenë por falë aftësive te tija drejtuese e menaxheriale ai realizonte punën më të vështirë, ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të mirëfillta në tavolinat ku kundërshtoheshin më se forti këto vlera. Drejtori Shabani ishte një personalitet me rezon të gjerë dhe me ambicie të mëdha për institucionin që drejtonte sepse ai i kishte vënë vetes pikësynim të qonte Teatrin e Gjilanit drejt arritjes së kurorëzimit me titullin Teater Profesionist. Rezultatet nuk mungonin sepse pjesëmarrja me fitore dhe shpërblime në nivel krahinor republikan e federativ ishin fakte te pamohueshme për institucionin qe drejtonte gjate periudhës sa ai drejtonte.

Si arriti Ibrahim Shabani të ishte drejtuesi me i suksesshëm i një shtëpie kulturore në Kosovë? 

Fillimi i çdo projekti kulturore a shfaqje në teatër ishte ditë feste për Ibrahim Shabanin, ai asnjëherë nuk harronte të përgëzonte me uratat më të sinqerta ekipin dhe të qeraste të gjithë nga xhepi i tij dhe vazhdonte betejën e tij jashtë skenës për të qenë gardiani kryesor në mbrojtjen projektit. Atij i duhej që të pranonte kafshimet dhe goditjet e forta nga çakejtë serbo sllav të cilët me çdo kusht duhej të fusnin frymën jugosllave dhe të censuronin me çdo kusht mëvetësinë e projektit. Sidomos atëherë kur kishte shfaqje me karakter patriotikë/kombëtare presioni dhe kontroll i rreptë aplikohej nga pushteti për të shtrembëruar dhe devijuar shfaqjen nga linjat kryesore, presion i cili binte mbi shpatullat e drejtuesit të këtij institucioni.

Sipas regjisorit Mehmeti ai ishte koshient për përndjekjen qe i behej por linte përshtypje mënyra se si ai, injoronte këtë presion e intimidim konstant duke i shpërfillur në mënyrë fare të ftohtë  sepse ai në thelb ishte një personalitet që thjesht nuk e kishte frikë pushtetin. Fuqia e tij intelektuale e bënte atë te ishte mbi frikën dhe me shumë dinjitet mbronte të drejtën e shqiptarëve kudo që i kërkohej dhe këtë mbrojtje e realizonte me argumentim pa zhurme dhe pa lëvdata për veten. 

Këmbëngulësia e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare e bënë atë të ishte njeriu me i survejuar apo i ndjekur hap pas hapi nga UDB-ja Jugosllave, e cila ndjekje u intensifikua me angazhimet e tija shtesë si drejtues i Forumit te Intelektualeve Shqiptare (FISH) në fillim vitet ’90-ta. Te panumërta ishin bisedat e ashtuquajtura informative në përpjekje për ta thyer dhe për të zbehur rolin e tij në mbrojtjen e arsimit shqip dhe kulturës kombëtare por ai i kundërshtonte hapur dhe gjithçka që bënte e mbronte me forcën e argumentit. 

Për shkak të mos-zmbrapsjes, pushteti u mundua të ndal hovin e tij por edhe në postet tjera si drejtues i entit rajonal arsimor pedagogjik dhe më vonë si këshilltar pedagogjik nuk arritën ta mposhtin përveç se ta shkarkonin si “i papërshtatshëm ideo politikisht” dhe ta pensiononin parakohe.

Ibrahim Shabani do te mbahet mend si një personalitet me qëndrime te forta kombëtare dhe me guxim qytetar, te cilën e dëshmoi përgjatë gjithë karrierës së tij publike.

Sa ishte gjallë ai u nderua me konsiderata të larta si nje nga intelektualet më të denjë dhe u vlerësua për kontributin në edukimin dhe ndërtimin e institucioneve kulturore.

Kontributi i tij në shërbim të skenës si timonier i këtij institucioni është i përmasave të pamatshme sepse ai ishte urë bashkimi mes aktorëve, regjisorëve e projekteve të medha skenike që me shumë mund e sakrifice u realizuan në një kohë kur mbretëronte terri artistik e kulturorë në Kosovë.   /2LONLINE/