DYLON

Institucionet në bllokadë: Kur përgjegjësia ndaj qytetarëve zhduket!

Institucionet në bllokadë: Kur përgjegjësia ndaj qytetarëve zhduket!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Arlind Vokshi

Kosova po përballet me një situatë të paprecedentë politike dhe institucionale. Kuvendi i vendit është bërë arenë e boshatisur nga përmbajtja, ndërsa Qeveria po vepron në mënyrë të shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Bllokimi i institucioneve shtetërore, mungesa e vendimmarrjes dhe përgjegjësisë për të cilën janë votuar, janë shndërruar në normë të pranueshme për klasën politike.

EkoHigjiena

Përderisa vendi përballet me krizë energjetike, papunësi, ikje masive të të rinjve dhe kolaps të bizneseve vendore, seancat në Kuvend zgjasin 5 minuta – vetëm sa për të justifikuar pagesën e mëditjeve. Kjo nuk është vetëm shkelje e etikës politike, por tallje e drejtpërdrejtë me qytetarin.

Institucionet nuk janë më vend ku zgjidhen problemet, por skenë për spektakël mediatik. Spektakël pa përmbajtje, pa ide, pa përgjegjësi – një serial i zgjatur ku episodet përsëriten, ndërsa temat mbesin të njëjtat: akuza të ndërsjella, popullizëm dhe vetëkënaqësi.

Në një vend ku vetëdija qytetare është e lartë dhe e përgjegjshme, qytetarët nuk do të prisnin gjatë – do të kërkonin llogari. Institucionet që nuk funksionojnë, që nuk përfaqësojnë, që nuk japin llogari, duhet të vihen përballë një bllokade qytetare. Jo përmes dhunës, por përmes refuzimit të legjitimitetit të tyre derisa të rikthejnë përgjegjësinë që kanë marrë nga vota e popullit.

Si nuk ju vjen turp, të dilni në media për të dhënë “qëndrime” që s’kanë më asnjë peshë? Qytetarët nuk kërkojnë më deklarata, kërkojnë veprim. Nuk kërkojnë arsyetime, por zgjidhje. Nëse nuk jeni të gatshëm ta bëni këtë, atëherë të paktën heshtni – sepse çdo dalje juaj vetëm sa e thellon zhgënjimin dhe neverinë kolektive. /2LONLINE/