(2L ONLINE) – Drejtori i Drejtorisë komunale të Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, kohë më parë kishte deklaruar se viti i ri shkollor këtë vit ka nisur me rregull në të gjitha shkollat dhe pa probleme. “Këtë vit procesi mësimorë ka nisur me rregull në shkollat e Komunës së Gjilanit. Po ashtu është bërë gëlqerosja e shkollave të cilat janë vlerësuar paraprakisht nga komisioni se duhet të bëhet gëlqerosja… ” (Shih më tepër në shkrimi: Komiteti i arsimit informohet nga drejtori i drejtorisë dhe nga kryesuesit e komisioneve)
Dhe, kush nga ne që kemi fëmijët tanë nëpër ato shkolla nuk do ta ndiente veten i lumtur e edhe krenar që jeton në një shtet ose komunë ku përkujdesja nga organet kompetente, për ambientin shkollor është së paku i kënaqshëm!
Por a është në të vërtetë gjendja nëpër shkollat ku mësojnë fëmijët tanë,mu ashtu siç është paraqitur nga drejtuesit e Arsimit në Gjilan si dhe komisioni që paska vlerësuar a duhet gëlqerosur (ngjyrosur) apo jo hapësirat të cilat kanë nevojë për një gjë të tillë!
Unë nuk e di se kush po mashtron kë, por shkoni edhe njëherë nëpër shkolla dhe vizitoni klasë për klasë dhe do të shihni se nuk është ashtu si ju kanë thënë ose ashtu si keni dashur ju ta kuptoni!
Në këto shkolla që kompetentet e drejtorisë së arsimit i shpallin në rregull,ka klasë të cilat jo që janë në rregull por vështirë se gjen edhe në Afrikë në gjendje të tillë!
Dhe sinqerisht nuk e kuptojë si ka mundësi që një gjendje e tillë të mos i bie në sy askujt? Përgjegjësia bie mbi të gjithë. Që nga Ministria e Arsimit e cila rrah gjoks për investime të mëdha në arsim, e organeve komunale, e drejtorëve të shkollave përkatëse si dhe mësimdhënësve, por edhe e prindërve të fëmijëve të cilët nuk kanë arritur, ose as që kanë tentuar të ua shpjegojnë fëmijëve të tyre se vandalizmi i së mirës së përbashkët në fakt është shkatërrim i vendit dhe ardhmërisë së tyre!
Shih fotot e bëra në një klasë të shkollës fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan!
/Xhelil ARIFI/2L ONLINE/