Institucionet apelojnë për kujdes të shtuar nga rreziku i zjarreve nga temperaturat e larta që po mbretërojnë në vend.
Me qëllim të parandalimit të rreziqeve që vijnë nga zjarret, është mbajtur sot një takim i institucioneve komunale, përkatësisht Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë me Policinë, Njësinë e Zjarrfikësve, Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Administratorët e fshatrave, Kryqin e Kuq etj.
Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, u shqyrtua gjendja aktuale në vend, pas temperaturave të larta që po mbretërojnë dhe rreziku nga zjarret që mund të vijnë si pasojë e këtyre temperaturave.
Po ashtu u diskutua rreth koordinimit për reagim në shuarjen e zjarreve dhe marrjen e masave në parandalimin dhe zbulimin e tyre.
Po në këtë takim, u apelua tek qytetarët që të raportojnë në polici rastet e zjarre vënieve, me që sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, neni 365, sanksionon me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet të gjithë ata që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm, përmes ndezjes së zjarreve.
Nga policia u bë e ditur se gjatë dy viteve të fundit janë bërë edhe kallëzime penale për ata qytetar që kanë ndezur zjarre brenda oborreve të tyre gjë që është e ndaluar dhe paralajmëroj për ndërmarrje të masave për ata që bëjnë një gjë të tillë edhe në të ardhmen, gjithnjë duke iu referuar ligjeve në fuqi.
Nga Njësia e Zjarrfikësve në Viti, u njoftua se vetëm mbrëmë janë shënuar 5 raste të zjarreve fushore në këtë komunë.
Ndërkohë që u theksua se numri i rasteve ka filluar të shënoj rritje dhe u kërkua më shumë vigjilencë dhe koordinim nga të gjitha mekanizmat dhe këshillat e fshatrave që të parandalohet rreziku nga zjarret.
Në këtë takim u fol edhe për dëmet që u shkaktohen tokave bujqësore nga zjarri dhe rendimenteve të dobëta që mund ti ketë në vitet në vijim ajo sipërfaqe. /2LONLINE/