Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut fillon zbatimin e masave për largimin nga tregu të produkteve me yndyrë me origjinë bimore
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të zbatimit të vendimeve të institucioneve kompetente, gjatë ditës së sotme ka filluar zbatimin e masave për largimin nga tregu të të gjitha produkteve të deklaruara në etiketim se përmbajnë yndyrë me origjinë bimore (vaj palme dhe vaj kokosi).
Gjatë ditës së sotme, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar nëntë kompani që të tërheqin nga tregu produktet e tyre të deklaruara me yndyrë me origjinë bimore.
Për të verifikuar zbatimin e kësaj urdhërese, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka filluar në orët e pasdites aksionin e inspektimeve në marketet e kategorisë B dhe C, me qëllim identifikimin dhe largimin e produkteve nga ekspozimi dhe shitja.
Produktet e deklaruara në etiketim me yndyrë me origjinë bimore të kompanive:
“Drena” SHPK;
“Bylmeti KS” SHPK;
“Koral Dayri” SHPK;
“Magic Ice Joint Stock” Sh.A.;
“Opatija Comerc” SHPK;
Qumështorja “Aldi”;
“Gexha” SHPK;
“ABI” SHPK; dhe
“Natyra-G” SHPK,
duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu.
Ndërkohë, për produktet e kompanisë “Abrazen – Vita”, procesi i inspektimit ende është në zhvillim.
Subjektet e lartcekura janë urdhëruar që të ndërpresin menjëherë aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, si dhe të largojnë nga ekspozimi dhe shitja të gjitha produktet kompozite të përfshira në këtë masë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit përmes Inspektoratit(MINTI) Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të këtyre masave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi ndaj çdo subjekti që nuk respekton urdhëresat e institucioneve kompetente.
MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorit, garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurimin e një tregu të drejtë dhe të sigurt për qytetarët, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. /2LONLINE/
