DYLON

Inspektorati Policor i Kosovës informon gjilanasit me projektin “Kutia e Ankesave” dhe “Linja e kaltër”

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me ICITAP–in, Policinë e Kosovës, Divizionin për siguri në bashkësi të MPB-së, dhe EVSB-të (Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi), ka ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët në Komunën e Gjilanit për të ofruar informacione lidhur me fushë – veprimtarinë e këtij inspektorati por edhe njoftimin për projektet e iniciuara si “Kutia e Ankesave” dhe “Linja e kaltër”.

Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se gjendja në aspektin e sigurisë në Gjilan në përgjithësi është shumë e qetë që është arritur falë një bashkëpunimi shumë të mirë që ka Komuna me Policinë e Kosovës.

EkoHigjiena

“Falë mbështetjes dhe bashkëpunimit shumë të mirë që ka Komuna e Gjilanit me Policinë e Kosovës, gjendja e sigurisë është e qetë dhe pa asnjë vrasje është kaluar viti 2014. Kështu edhe gjatë të ardhmes do të vazhdojmë, në mënyrë që në të gjitha fushat të ofrojmë shërbime dhe siguri për qytetarët e Gjilanit. Debate të tilla dhe cilësore janë për inkurajim edhe më të madh të qytetarëve që të jenë bashkëpunues për sigurinë rreth tyre”, tha ajo ndër të tjerash duke shtuar se krijimi i urave lidhëse është mese i nevojshëm për një demokraci të cilën e kemi prioritet drejt rrugës sonë Europiane.

Ndërsa Arbër Beka, udhëheqës i divizionit për marrëdhënie me publikun dhe bashkëpunim ndërkombëtar, ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është informimi dhe krijimi i bashkëpunimit më të madh me qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe me qytetarë është i mirë dhe po vazhdon përherë duke u përmirësuar. Në të njëjtën kohë raportime të rasteve kemi edhe nga vetë policët e Kosovës, të cilët në total kapin përqindjen e raportimit prej mbi 30%. Poashtu po vazhdojnë projektet si “Kutia e Ankesave”, që janë gjithsej 45 kuti të vendosura nëpër qendrat e regjistrimit civil dhe pikat kufitare, ndërsa “Linja e kaltër”, mënyrë e raportimit të rasteve përmes telefonit pa pagesë që është 080003333, që bashkërisht kanë qëllim monitorimin e punës së Policisë së Kosovës, por në të njëjtën kohe edhe hetimin, inspektimin dhe mbikëqyrjen e punës, duke monitoruar disiplinën, punën dhe demokracinë”, tha ai ndër të tjerash.

Ndryshe kontributin e tyre e kanë dhënë edhe nënkolonel Shaban Azizi i cili ka thënë se ankesat trajtohen me korrektësi dhe në mënyrë transparente, për t’u siguruar qytetarëve shembullin e mirë që të gjendet në Policinë e Kosovës.

Interesimet e tyre i kanë paraqitur edhe qytetarët e pranishëm, kryesisht për mënyrën e raportimit dhe format në përgjithësi./2L ONLINE/