DYLON

Infermieria – storie suksesi në shëndetësinë kosovare, vlerësohet në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë

Avatar photo Redaksia

Ministria e Shëndetësisë – Divizioni i Infermierisë, në bashkëpunim me Odën e Infermierisë, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë të Kosovës (OIK), të mbështetur nga UNFPA-Zyra në Prishtinë, shënuan sot në Prishtinë Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, me moton: “Infermierët: Forcë për ndryshim – Përmirësimi i aftësive ripërtëritëse në sistemin shëndetësorë”.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se të arriturat në fushën e Infermierisë në Kosovë janë një storie suksesi për shëndetësinë kosovare, ndërsa fakti që komuniteti i Infermierisë në Kosovë është shumë i gjerë përfshirë sektorin publik dhe atë privat, tregon se roli i tyre në sistemin shëndetësor është i domosdoshëm dhe në asnjë moment i kontestuar.

EkoHigjiena

“Duke u pajtuar edhe me moton e sivjetme të Ditës Ndërkombëtare së Infermierisë, themi që Infermieria duhet të jetë forcë për ndryshim, ndërsa shteti ynë po krijon kushte dhe mundësi që ky komunitet t’i arrijë objektivat e veta profesionale në kuadër të sistemit shëndetësor”, tha Ministri Rrahmani, duke uruar infermierët për ditën e tyre.

Znj. Fetije Huruglica, shefe e Divizionit të Infermierisë në MSh tha se sipas Këshillit Ndërkombëtar të Infermierisë, infermierët duhet të jenë pjesë edhe e hartimit të politikave shëndetësore dhe MSh ka krijuar mundësi që përfaqësuesit e këtij komuniteti të marrin pjesë në hartimin e legjislacionit, ndërkohë që mbështetja për infermierët edhe nga stafi menaxherial, u mundëson atyre që të jenë çdo herë në shërbim të popullatës dhe ruajtjes së shëndetit të saj.

Kryetari i OIK-ut, Naser Rrustemi ka uruar Infermierinë për Ditën Ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se ky komunitet, po punon në arritjen e objektivave të veta, ndërsa OIK po përgatitet për të marrë më shumë përgjegjësi e kompetenca në zbatimin e përgjegjësive të saj.

Dr. Visare Mujko-Nimani, zyrtare nacionale e Programit të UNFPA-së në Kosovë, tha se infermierët bëjnë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në sistemet shëndetësore.
“Rëndësia e infermierisë në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe nivelet e qeverisjes dhe të politikave është e njohur në forcimin e sistemeve shëndetësore”, tha ajo, duke theksuar se nevoja për sisteme të forta dhe fleksibile shëndetësore, të afta për t’iu përgjigjur ndryshimeve të shpejta, shihet në thelbin e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG).

Për rolin e Qendrës së Edukimit të Vazhduar Infermieror (QEVI) në Kujdesin Shëndetësor ka bërë një prezantim Koordinatorja Fekrije Hasani, ndërsa me mirënjohje post mortum për kontributin e dhënë në Infermierinë kosovare u nderua znj. Gjylgjyzare Karaxhija – Xharavina.


Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.