Inaugurohet objekti i ri i Prokurorisë Themelore në Gjilan
/2L ONLINE/ – Është inauguruar sot objekti i ri i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ngjarje kjo në të cilën mori pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryeministri Isa Mustafa me një pjesë të kabinetit, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi sikurse edhe përfaqësues të BE-së.
“Dëshiroj ta konfirmoj para kryeministrit Mustafa se Gjilani është njëra nga komunat më të sigurta të Republikës së Kosovës. Dy vitet e fundit në Gjilan nuk ka pasur asnjë lloj krimi. Në dy vitet e fundit Gjilani ka hyrë në agjendën e qyteteve të sigurta falë angazhimit, përkushtimit dhe ndërtimit të infrastrukturës siç është sot ndërtimi i objektit të prokurorisë. Po presim edhe përfundimin e objektit të policisë për ta rrumbullakuar infrastrukturën e organeve të rendit në Gjilan. Ju konfirmoj nevojën për ta rritur sundimin e ligjit dhe bartë si këtij instrumenti janë institucionet e drejtësisë”, ka thënë Lutfi Haziri.
Ai shtoi se falë angazhimit të prokurorisë dhe gjykatës, në vitin e kaluar kanë arritur të inkasojnë të hyra si rezultat i sundimit të ligjit dhe përmbarimit të lëndëve. “Uroj dhe besoj shumë që kjo ditë e shënuar për drejtësinë në Gjilan të vazhdoj të sjell edhe më shumë gëzim, projekte dhe investime”, thotë Haziri.
Ndërsa ambasadori amerikan Greg Delawie tha se SHBA do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën në fushën e drejtësisë e cila duhet të jetë pasqyrë për të shërbyer në interes të qytetarëve.”Tashmë edhe Barak Obama e ka thënë se Kosova do të ketë përkrahjen e SHBA-ve”tha ai. /2L ONLINE/
