DYLON

Inaugurohet objekti i ri i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan

Inaugurohet objekti i ri i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan
Avatar photo Redaksia

Është inauguruar objekti i ri i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, një investim i rëndësishëm i financuar nga Shteti i Katarit, i cili synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin dhe organizimin e veprimtarisë fetare, arsimore, kulturore dhe shoqërore në këtë qytet.

Në ceremoninë solemne të inaugurimit morën pjesë drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale të Gjilanit, zyrtarë të Shtetit të Katarit, si dhe të ftuar të tjerë.

EkoHigjiena

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, duke theksuar se veprimtaria e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk kufizohet vetëm në hapësirat e xhamive, por shtrihet në të gjitha fushat në të cilat kontribuohet për të mirën e besimtarëve dhe të shoqërisë.

“Bashkësia Islame e Kosovës nuk është e mbyllur vetëm brenda mureve të xhamisë, por është aktive në të gjitha sferat e jetës, ashtu siç na mëson feja dhe atdheu ynë. Objekte si ky janë dëshmi e këtij përkushtimi, sepse në to kultivohet feja, mësohet Islami dhe edukohet dashuria për atdheun”, tha Myftiu Tërnava.

Ai shprehu mirënjohjen për Shtetin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar se investime të tilla përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e jetës fetare dhe në krijimin e hapësirave të përshtatshme për shërbimin ndaj komunitetit.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim ef. Aliu, tha se objekti i ri do të jetë në shërbim të Këshillit dhe të gjithë besimtarëve të Gjilanit. Ai theksoi se ky objekt përbën një investim afatgjatë, i cili do të mundësojë zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe shërbimeve të Këshillit në fusha të ndryshme.

Sipas tij, hapësirat e reja do të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e jetës fetare, kulturore, arsimore dhe shoqërore, duke i shërbyer jo vetëm strukturave të Këshillit, por edhe komunitetit të gjerë të besimtarëve.

Rëndësinë e këtij investimi e vlerësuan edhe drejtuesit e Komunës së Gjilanit. Kryetari aktual i kësaj komune, z. Alban Hyseni, theksoi se puna dhe angazhimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan kanë qenë të vazhdueshme dhe se një objekt i tillë do t’u shërbejë shumë qytetarëve.

“E dimë punën dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Në veçanti, në rolin prej kryetarit që jam tash, e shoh që kjo punë e heshtur, por shumë e madhe e KBI-së në Gjilan, ka pasur nevojë për një objekt të tillë, ku do të përfitojnë të gjithë besimtarët”, tha kryetari Hyseni.

Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shtetit të Katarit në Tiranë, z. Jabor Ali Hussein al Hawashela al Dosari, i cili shprehu kënaqësinë që ndodhej në Gjilan në një ditë të rëndësishme për inaugurimin e këtij vakëfi. Ai theksoi se objekti do të mundësojë zhvillimin e aktiviteteve të shumta me karakter social dhe në fusha të tjera, duke vlerësuar se projekte të tilla i japin një dimension të ri bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Katarit.

“Ky projekt në vete bart aktivitete të shumta, si sociale, ashtu edhe shumë mundësi të tjera. Padyshim se bashkëpunime të tilla e forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve”, tha ambasadori i Katarit.

Ndërkaq, Muhamed al Menai, drejtor i Çështjeve Fetare në Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare Islame të Shtetit të Katarit, e vlerësoi objektin si një nga projektet e rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ai bëri të ditur se objekti i ri është katërkatësh, me një sipërfaqe prej mbi 5 mijë metrash katrorë dhe me një vlerë investimi prej më shumë se 2 milionë eurosh.

“Bëhet fjalë për një objekt katërkatësh, me mbi 5 mijë metra katrorë dhe me vlerë mbi 2 milionë euro”, tha al Menai.

Inaugurimi i këtij objekti shënon një hap të rëndësishëm për Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, duke i ofruar atij një hapësirë moderne dhe funksionale për ushtrimin e veprimtarisë së tij dhe për ofrimin e shërbimeve për besimtarët.

Objekti i ri pritet të jetë një qendër e rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve fetare, arsimore, kulturore dhe sociale, si dhe për organizimin e programeve dhe shërbimeve të ndryshme në funksion të komunitetit të besimtarëve të Gjilanit.

Ky investim njëherësh dëshmon edhe për vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të Shtetit të Katarit, bashkëpunim i cili ndër vite ka sjellë projekte të rëndësishme në shërbim të komunitetit mysliman në Kosovë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.