Inaugurohet busti i senatorit Bob Dole

Inaugurohet busti i senatorit Bob Dole

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës mbanë ceremoninë e zbulimit të bustit të mikut të shqiptarëve, ish senatorit amerikan Bob Dole, në shenjë mirënjohje për punën e tij të palodhshme dhe rolin e tij në pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie, Senatori Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi se është nder i veçantë për Odën Amerikane të jetë pjesë e këtij aktiviteti mirënjohës për punën dhe kontributin e ish Senatorit Bob Dole, i cili është një hero i veçantë në Kosovë. Ai tha se jehona e vizitës së Senatori Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë tridhjetë vite më parë në Kosovë, i dha drejtim tjetër rrugëtimit të Kosovës drejt çlirimit, pavarësisë, dhe hapjes së mundësive për ndërtimin e një shteti demokratik.

“Busti është edhe rikujtim i përgjegjësisë për ne dhe gjeneratat pas nesh për të kujtuar dhe shprehur mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre të vazhdueshëm në procesin e krijimit dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës.” theksoi Zeka.

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, u shpreh i nderuar të jetë pjesë e këtij momenti historik. Ai theksoi se veprimtaria e ish senatorit Dole për Kosovën ka shërbyer si gurthemel i vendosjes së shtetësisë së vendit tonë, ndërsa cilësoi se vendosja e këtij busti do të shërbejë si pikë mësimi për historinë e ndërtimit të miqësisë ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij amerikan për gjeneratat e reja.

“Senatori Bob Dole është ndër personat e parë zyrtar të lartë që ka vizituar Kosovën dhe presidentin Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gur-themeli i shtetit të Kosovës dhe miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës’’ tha Kryeministri Hoti.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesia e tij Philip Kosnett, theksoi se ndihet i privilegjuar të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Derisa falënderoi ata që e kanë bërë të mundur këtë ditë, Ambasadori Kosnett tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje po shënohet edhe jeta e një heroi amerikan dhe një miku të Kosovës. Ai gjithashtu potencoi se Bob Dole ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën, dhe se vizita e Senatorit Dole para tridhjetë vitesh u hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë.

“Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi personal i të cilit për kauzën e lirisë ka frymëzuar aq gjatë popullin e Shteteve të Bashkuara, të Kosovës dhe miqve nëpër botë’’ tha Ambasadori Kosnett.
Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, folën në këtë ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e ish senatorit Bob Dole.

Përveç Odës Ekonomike Amerikane dhe Qeverisë së Kosovës, në ndërtimin e bustit kontribuan edhe kompanitë kosovare KIVO, Tregtia, Meridian Corporation, ELKOS, Devolli Corporation, Mabetex, Emona, Al-Petrol, NLB Banka, Al Trade Center dhe Klinika Amerikane. /2LONLINE.com/

KOMENTE