In Memoriam për djaloshin që i mungon qytetit
VALON AJETI (24 03 1984 – 01 11 2013)
/2L ONLINE/ – Në këtë përvjetor, sa rëndë të shkruaj e të nxjerrë nga zemra fjalët për një mik i cili me kulturën e tij kishte arritur të ngriste histori suksesi. “Cigargjiu im i vogël” është kënga që simbolizon më së miri fytyrën tënde miku im Valon. Është kjo mbyllja e njërit prej kujtimeve që më sjellë ndër mend ç`do çast të trishtë. Atë ditë të vjeshtës që sapo kishte filluar dita e zakonshme e punës, na preu lajmi i ndarjes nga jeta të Valonit, atij Valonit që ishte model i një çuni të urtë e punëtor. Ah sa trishtim, gjithë qytetin pllakosi dhimbja për djaloshin të cilit duhet ti jepej lamtumira e fundit e në kohën kur të gjithë i gëzoheshin sukseseve të tija. Valon, lajmin për ty të gjithë e pritën me lot në sy, por me kujtimet më të mira të përcjellën të gjithë ata që i pate dhe të patën kaq për zemër.
Ti je këtu Valon, ti je në mesin tonë me kujtimet që na le o i riu ynë që i mungon shumë Gjilanit tënd. Ti që ishe i ri por me mendjen tënde, atë kulturën që zotëroje për pleqtë ishe plak e për fëmijët fëmijë por në mendjen e ç`do gjilanasi ti ishe ai Valoni model i një djali punëtor dhe i edukuar që gjithçka që kishe e kishe të larë me të shenjtën djersë.
Sot kur ti mbush dy vite që ike nga ne, ti shkove për tu mos u harruar kurrë dhe na mbete kujtim i përjetshëm si model i një të riu që dinte të fitonte edhe atëherë kur shumica kishin humbur shpresat e ti si një fëmijë me atë çantën tënde që duhej të ishte e mbushur me libra ti mbaje cigare për ti shitur, me misionin e sigurimit të ekzistencës për familjen tënde të cilës ç`do herë i dhurove vetëm gëzime.
Ditëve kur ti rrisje sukseset në punën tënde, dhe krijoje një imixh të djaloshit që të kishte lakmi ç`do njeri, ti na dhe lamtumirën e dhimbshme, atë përshëndetje që më së paku e prisnim nga ti Valon! Me ty, ne humbëm një mik të madh, në kohën kur ankohemi që sot nuk kemi një shembull të të riut që gërshetoi librat me djersën dhe sot na mungojnë si fjalët tua të ëmbla po aq edhe ai humori yt me të cilin ç`do njeri e bëje mik.
Valon ,tek brezi ynë ke mbjellë një model të djaloshit që do t`na mungosh por ti nuk do të harrohesh kurrë ngase me mundin tënd ke ngritur një përmendore model që duhet ndjekur nga të rinjtë, në kulturë apo punë.
Ndoshta të pakta janë fjalët për të thënë gjithë kujtimet dhe mallin për TY, por këto vargje të nxjerra nga zemra ti dedikoj TY
Sa larg tingujt e kujtimeve, shkojnë për ty o Valon
O sa shpejtë i zi lajmi, erdh këtu n`qytetin tonë
Vargu i gjatë i kujtimeve, s`do pushon kurrë në jetë
Pusho n`paqe i bekuar, ti djaloshi qytetit tim!
Në atë vend ku të shkeli këmba edhe trupi të lëshoj shtat
I bekuar të lindi nëna, që shtëpisë ti sjellësh fat
Ditët ikin e malli shtohet, për ty gjithë me kujtim
Lamtumirë o i bekuar, ti djaloshi qytetit tim!
Pusho në paqe miku ynë. Kujtimi për ty i përjetshëm!
/Arbër R. Ismajli/
