IN MEMORIAM: Lamtumirë, miku dhe kolegu ynë i dashur, Nexhmedin Ymeri
Nga: Islam Osmani
Sot, me dhimbje të thellë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tonë të çmuar, Nexhmedin Ymeri, një prej emrave më të respektuar të gazetarisë dhe kulturës në Gjilan.
Nexhmedin Ymeri ia kushtoi tërë jetën fjalës së lirë, gazetarisë dhe artit. Për më shumë se pesë dekada ai ishte shembull i profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit, duke e jetuar gazetarinë jo thjesht si profesion, por si mision.
Karrierën e tij e nisi që në rini, ndërsa në vitin 1974 u bë pjesë e Radio Gjilanit, ku la gjurmë të pashlyeshme si gazetar, redaktor dhe moderator. Më vonë dha kontribut të çmuar edhe në Radio Energji, TV Vali, TV Men dhe në shumë media të tjera të vendit, duke u bërë një zë i besueshëm dhe i respektuar për publikun.
Krahas gazetarisë, ai ishte edhe një artist i përkushtuar. Në skenën e Teatrit të Gjilanit interpretoi role të shumta, ndërsa për vite me radhë shërbeu edhe si menaxher i teatrit. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë u nderua me Çmimin e Karrierës për vepër jetësore.
Edhe në vitet më të vështira, përballë presioneve dhe maltretimeve gjatë regjimit serb, Nexhmedin Ymeri nuk u largua nga misioni i tij. Ai mbeti besnik së vërtetës, etikës profesionale dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve, duke dëshmuar se gazetaria është një mision që kërkon guxim dhe dinjitet.
Për ne që e njohëm dhe punuam me të, Nexhmedini ishte shumë më tepër se një koleg. Ai ishte mik i sinqertë, njeri fisnik, këshilltar i urtë dhe profesionist i rrallë, i cili me fjalën e tij të matur dhe me sjelljen njerëzore fitoi respektin dhe dashurinë e të gjithëve.
Largimi i tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë, kolegët, gazetarinë kosovare dhe jetën kulturore të Gjilanit. Megjithatë, vepra, kujtimet dhe shembulli që la pas do të mbeten përherë frymëzim për brezat që vijnë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për mikun dhe kolegun tonë, Nexhmedin Ymeri.
U prehtë në paqen e amshuar. /2LONLINE/
