DYLON

Imzot Dodë Gjergji uron besimtarët e krishterë për Pashkët

Avatar photo Redaksia

Imzot Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Pashkëve. Mesazhi i Shkëlqesisë së Tij, Imzot Dodë Gjergji për Pashkët Ju sjellim të plotë mesazhin e Imzot Dodë Gjergjit, dërguar besimtarëve të krishterë, me rastin e festës së Pashkëve.

“Me të vërtetë u ngjall … !” (Lk 24, 35)

EkoHigjiena

Drejtuar priftërinjve,
rregulltarëve dhe rregulltarëve,
besimtarëve dhe
të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë

Fort të dashur vëllezër e motra, në Krishtin e Ringjallur!

Përvoja kreshmore e agjërimit, e lutjes dhe lëmoshës, sigurisht ka qenë një mundësi e mirë për të zbritur në thellësinë e misterit të fesë. Nëpërmjet agjërimit kemi sprovuar fenë tonë dhe zotësinë shpirtërore për t’u shkëputur nga të mirat e përkohshme që të dëshmojmë se në tërësi i takojmë Zotit.

Nëpërmjet lutjes së përditshme kemi pasur mundësi t’ia kushtojmë këtë sakrificë Hyjit të gjallë, e sidomos në përvojën e lutjes meditative kemi mbërri të zbresim në ligështitë dhe mangësitë tona, po edhe të lartësohemi shpirtërisht në praninë e Zotit, duke e njohur Atë, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, në vëllezërit dhe motrat tanë në nevojë.

Këto tri vepra, në dritën e fesë, na kanë mundësuar ta njohim Krishtin e Ringjallur në festën e “thyerjes së bukës” – Ditën e Pashkëve.

Me gëzimin e nxënësve të Emausit, edhe ne vrapojmë për t’u bashkuar me vëllezër nëpër kisha tona, që ta bashkëndajmë këtë gëzim hyjnor dhe t’i shpallim njëri-tjetrit lajmin e gëzueshëm “Me të vërtetë u ngjallë…!” (Lk 24, 35). Këtë lajmë të mirë duami, po ashtu, t’ua shpallim të gjithë njerëzve vullnetmirë që, duke besuar, të mund ta shijojnë këtë gëzimin në zemrat e tyre. Gëzim i cili është si gurrë dashurie e zemrës për Zotin dhe për njeriun. Kjo dashuri e forcon shpresën dhe e shton besimin se ne nuk jemi më të bijtë e vdekjes, por të Zotit të gjallë, i cili me ringjalljen e vet na dhurojë të gjithëve pavdekësinë.

Festa e Pashkëve nuk është një histori, me të cilën mburren të krishterët, por është takim me Personin e Krishtit të gjallë, në të cilin “Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell” (Kol 1, 19-20). Takimi dhe miqësia e sinqertë me Krishtin e Ringjallur është dhurata më e madhe që Zoti ka përgatitë për ne, sepse nëpër Të zbrazet mbi ne plotësia e hirit dhe e dhuntive që na shndërrojnë në njerëz të ri, të cilët e ndryshojnë vetën dhe e bëjnë botën më të mirë.

Vëllezër dhe motra fort të dashur, me anë të gjakut të bijave dhe të bijave të këtij vendi ne e fituam paqen në Kosovë. Por sipas asaj që shohim dhe përjetojmë, duket se jemi ende në “luftë me njeri tjetrin”, sepse na mungon paqja e brendshme e shpirtit, na mungon gëzimi i zemrës dhe, mbi gjitha, na mungon dashuria e përkryer, e cila na shndërron në vëllezër. Këndej edhe shpeshherë mendohet se gjithçka që është arritur, është mëritë e atyre që janë gjallë. Në anën tjetër, është krijuar një mendësi që paqja dhe e vërteta është pronë e dikuj, të cilën duhet ta marrim nëpërmjet denoncimeve dhe akuzave publike, kundërshtimeve pa arsye ose pëlqimeve pa bindje. Kjo mënyrë e trajtimit të paqes pa dashuri, pa sinqeritet dhe pa pajtim, bënë më të hidhur paqen e sotme se sa luftën e djeshme.

Neve besimtarëve që e kemi përqafuar kryqin e Krishtit, kjo gjendje na shtyn t’i bëjmë një “shtrëngim” ma të fortë Krishtit të kryqëzuar, ta vejmë të gjithë shpresën në Të dhe ta falënderojmë për dashurinë dhe paqen e shpirtit që na i ka dhuruar. Sepse Hyji për të na pajtuar me vete e ka sakrifikuar Birin, e gjaku i Tij është derdhë për pajtimin dhe paqësimin tonë. Nëpërmjet Tij, të vdekur dhe të ringjallur për ne, kemi paqen e shpirtit, sepse si në luftë e si në mungesë të saj, ne jetojmë në paqe me Zotin, me vetveten dhe me të tjerët, pasi e kemi fuqinë e brendshme që miqtë e luftës mos t’i harrojmë, kurse armiqtë, duke i falur, t’i shndërrojmë në miq të rinj, mu ashtu sikur Krishti i shndërrojë në miq ata që e kryqëzonin, me britmën e Tij prej Kryqit: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë”! (Lk 23, 34).

Kisha nuk do të pushojë kurrë të lutet, që paqja e brendshme e shpirtit dhe dashuria e përkryer e Krishtit, të prekë gjithë njerëzit në Kosovë, që të kemi paqen si fryt pajtimi e jo si fitore mbi njëri-tjetrin.

Po ashtu e lus të Ringjallurin që të na mbushë zemrat me dashuri që të jemi të gjithë njerëz të ndershëm, besimtarë besnik, qytetar të përgjegjshëm, prindër të mirë dhe familje e shenjtë dhe të kemi mundësi t’i gëzojmë të mirat që i kemi dhe të ardhmen që na pret, të lumtur dhe të gëzueshëm.

Për shumë mot Pashkët! 

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.