(2LONLINE) – Është fundi i vitit dhe shumëçka nga ritmi jetësor i njerëzve ndryshon për ndonjë javë për shkak të ngarendjes së të gjithëve për ta përcjellë “të vjetrin” që po i ngrysë ditët e tij të fundit dhe për ta mirëpritur atë “të riun’, i cili natyrshëm vjen bashkë me dëshirat më të mira të njerëzve, sikur edhe çdo fillimvit tjetër…
Kësaj atmosfere festive në shumicë edhe ekonomikisht i kontribuojnë fytyrat e harruara të mërgimtarëve që vijnë për fundvit nëpër familjet e tyre për t’u “tokëzuar” ca ditë apo ndonjë javë me ëndrrat e tyre rinore të lëna peng gjatë orëve policore, muhabeteve të odave, ecjeve të shpejta nëpër sokaqet me baltë dhe klasët e ftohta të shtëpive shkolla.
Shumëçka ka ndryshuar që nga ajo kohë dhe tashmë gjërat nuk janë më njëjtë për shkak të zhvillimeve të shumta shoqërore dhe politike që kanë ndodhë viteve që shkuan. Mund të evidentohen të arritura të pamohueshme të shoqërisë sonë, disa prej tyre madje mund ti quajmë edhe epokale.
Përkundër të gjitha këtyre, kudo që lëvizë dhe shkon ndjen se eteri nuk e përcjellë atë entuziazmin e veçantë të shoqërive (që rëndom kaplon çdo pore te jetes)për hapjen e shtigjeve të reja jetësore, në funksion të realizimit të atij qëllimi fisnik të bartur gjeneratë pas gjenerate për t’a bërë qytetarin të denjë për emrin e vendit që mbanë.
Për më tepër , kudo që shkon dhe vepron gjen emëruesin e përbashkët të (mos)punës ose të bërit të saj “shkel e shko”. Këtë në kuptimin e plotë të fjalës mund edhe t’a quajm edhe improvizim.
Simptoma e improvizimit është bërë pjesë e pandashme e jetës politike në Kosovë e së cilës si duket nuk ka mundur ti shpëtojë asnjë sektorë i shoqërisë. Madje as edhe një pjesë e mirë e gazetarisë hulumtuese dhe e medies së lirë, që janë të thirrur që të luftojë për interesin qytetar në çdo kohë dhe në çdo vend. Me sa duket, një pjesë e tyre janë viktimë e ndonjë “anestezioni” të postmodernes, të cilin vetëm Zoti e din se në çfarë trajte u është shfaqur.
Rast konkret i cili konfirmon qasjen improvizuese dhe “shkel e shko’ të sektorit të medias është ai i trajtimit të vjedhjes më të madhe publike (me emër dhe adresë) të bërë ndonjëherë në Kosovë pas luftës së fundit. Pra, vjedhja të cilën e bëri në pikë të ditës kompania e fluturimeve “Belle Air” përmes shitjes së biletave fiktive për banorët e Kosovës që jetojnë nëpër Evropë me rastin e prenotimit të biletave të tyre për fundvit.
Opinion publik ka të drejtë që ta dijë sa qytetarë të Kosovës u mashtruan përmes këtij skandali. A kanë nisur hetimet nga dikush për këtë rast dhe a po mbledh dikush informacione për personat që janë dëmtuar nga kjo vjedhje? Apo a ka paditur dikush (që është i thirrur për këtë punë) këtë kompani apo personat përgjegjës lidhur me këtë mashtrim?
Për fat të keq askush nga të dëmtuarit (mërgimtarët) nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar për mjetet të cilat u janë vjedhur në pikë të ditës. Ata paraqiten shpesh ne dyert ku prenotuan biletat për udhëtim dhe i paguan mjetet por ato tashmë janë të mbyllura. Gjithë çka ata dijnë është informacioni që kanë pranuar nga ndonjë raportim i zbehtë dhe sipërfaqësor i bërë nga ndonjëra nga mediat tona.
Është për keqardhje që kjo vjedhje nuk u bë asnjëherë subjekt i një diskutimi të gjerë shoqëror ku do mediat, në mos dikush tjetër, do ti dilnin zot qytetarëve të vendit të tyre. Është për të ardhur keq që improvizimi dhe bërja e punëve “shkel e shko” e ka kapluar edhe këtë sektor të shoqërisë sonë.
/Veton Nevzadi/