Nga: Bajram Kallaba
( Përkitazi rreth portretit krijues të znj. Xhuli Spahiu)
/2L ONLINE/ – Xhuli Spahiu është një emër i respektueshëm në letrat shqipe dhe në opinionin tonë, qoftë në mediat e shkruara si dhe ato elektronike. Është një personalitet me tendencë krijuese, sidomos me tema që trajtojnë relavancë shoqërore, qoftë në fushën e shkencave të psikologjisë dhe parapsikologjisë, qoftë në krijimtarinë letrare ose përmes publikimeve të ndryshme, pastaj kumtesave dhe intervistave nëpër media dhe portale lokale dhe me gjerë.
Xhuli Spahiu është autore e librit “Dizajno jetën tende”, libër i llojit letraro-shkencor, që në esencë trajton tema nga shkenca psikologjisë duke sjellë përherë frymën e mendimit pozitiv, si energji dhe formë që orienton besimin tonë në rrugën e ndërdijes me shikim drejtë së ardhmes.
Zonja Xhuli Spahiu është kultivuese dhe krijuese e artit letrar. Ajo në të njëjtën kohë merret me shkrimin e poezive dhe merr pjesë në manifestime të ndryshme letrare. Poezia e Xhulit nuk duhet kuptuar vetëm si percepcion letrar, por edhe si mendim refleksiv e cila përmes vargjeve përcjell mesazhe të vlerave universale.
Xhuli Spahiu është po ashtu një misionare e devotshme e DNJ/F si dhe një humaniste ne qasjen e mendimit pozitiv duke ofruar këshilla dhe shërbime ndaj njerëzve në nevojë. Është po ashtu anëtare e Qendrave dhe instituteve që trajtojnë problemet dhe fenomenet e psikologjisë të “Mendimit pozitiv” brenda dhe jashtë Kosovës.
Prandaj, duke dashur që të paraqesim portretin intelektual dhe krijues te Xhuli Spahiut, ne shkrimin tonë e përqendruam në fushën e krijimtarisë poetike, me theks të veçantë në disa nga poezitë, ku shpirti krijues i Xhulit u shndërrua në një trend përditshmërie, duke skalitur kronika dhe ngjarje nga më të ndryshmet, sidomos gjatë periudhës se Luftës së UÇPMB-së. Në poezitë e saja kushtuar luftës së shenjtë për liri, Xhuli portretizoi me mjeshtri trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të kësaj treve kombëtare. Ajo ngre lartë moralin e luftëtarit të lirisë, të trimave dhe dëshmorëve që u flijuan për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve shqiptare.
Duke tejkaluar paragjykimet, se femra mund të jetë një prijetare e proceseve shoqërore, ajo tashme ka gjetur “çelësin e suksesit” , duke ofruar një energji pozitive nga një botë pesimiste, anarkiste dhe të pashpresë në një botë shprese, optimizmi, vetëbesimi dhe solidariteti mes njerëzve.
Personazhi i kësaj shprese është vet njeriu…miku. Antipodet e këtyre dy botërave i gjejmë tek poezia ”Përjetësisht miku im”: /“Mes stresit të ditës dhe acarit pa kufi/ Dimri më ishte bërë stina e shpirtit tim/ Por koha me buzëqeshi me ëmbëlsi/ duke me takuar me ty miku im” /
Ideja për të promovuar vetëbesimin si faktor shumë i rëndësishëm në ndërtimin e ardhmërisë, buron nga individualja, duke vazhduar rrugëtimin drejt kolektivitetit si vlerë humane e universale.
Duke njohur botën e brendshme humane dhe të urtë të poetes Xhuli Spahiu, si dhe biografinë e saj, kujtojmë se jeta e saj ishte me shumë vuajtje dhe peripeci, ashtu sikur ishte edhe fati i shumë femrave shqiptare.
Në përballje me vrragët e jetës dhe voluntarizmin që solli jeta në rrethana të okupimit dhe regjimit serbo-sllav, ajo sikur mori force anteu, jo vetëm t’i përballojë ato, por edhe të shndërrohet në ikonë humanisteje, duke shpërndarë energji të mendimit pozitiv kudo qe i jepej rasti.
Ne betejën e saj për të larguar të keqen, smirën, intrigën e pesimizmin, ajo gjeti forcën që të promovojë vlera të mendimit pozitiv, duke depërtuar në boten sentimentale si digë ndaj depërtimit të së keqes, depresionit,thyerjes shpirtërore etj.
Këto vlerësime më së miri i vërejmë te poezitë;”E ujis shpirtin çdo ditë me lumturi”, si dhe tek poezia :”Mblodha nektar diturie”, që është vënë si prolog në librin “Dizajno jetën tende” “Brodha, si flutura pas dritës se magjishme të diturisë… Po si bleta, u ndala mbi lulet e diturisë dhe mblodha nektar… Tani, tamam si bleta atë nektar që mora nëpër lulet e bukura në luadhin e madh të diturisë të observuar e të përpunuar po jua ofroj, miq, edhe juve që ta shijojmë së bashku…”
Këto vargje paraqesin uverturën e librit, jo për nga forma deskriptive dhe përmbajtjesore, por për mesazhin me vlera universale për lexuesin, për shkencën dhe për studiuesit në përgjithësi.
Të ndërtuara përmes metaforave, këto vargje na japin një poezi refleksive, ndaj fenomeneve të caktuara shoqërore e që autorja si një mesazh transmeton ato tek lexuesi për të bukurën, dritën, diturinë. vetëbesimin, mirësinë , humanizmin si rrugë dhe alternativa të mendimit pozitiv. /2L ONLINE/