Imigrimi në Kanada: faktet dhe mitet
Shkruan: Faton H. Bislimi
Edmonton, Alberta, Kanada:
(2L ONLINE) – Kohëve të fundit, fatkeqësisht, një tragjedi e re e ka kapluar Kosovën—egzodi i bashkëvendasëve tanë drejtë rrugës së gurbetit. Është më shumë se tragjedi që një dekade e gjysëm pas çlirimit, Kosovarët po marrin dhenë. Skenat e përmbramshme nga stacioni i autobusëve në Prishtinë janë rrënqethëse. Njerzit po ikin nga atdheu i tyre, fëmijët po braktisin shkollat, studentët po lënë studimet, e në disa raste edhe foshnjet po ndahet nga djepi i tyre. Lotët e këtyre fëmijeve janë mallkim i madh. Mallkim që do t’i zë, gjithësesi, ata që mbajnë përgjegjësi për vrasjen e shpresës së këtij populli. E sic, e kam thenë edhe më herët, një popull nuk shuhet kur tjetri e vretë atë, e dëbon atë, e përdhunon atë, e diskriminon atë, e djeg atë—një popull shuhet kur tjetri ia vret shpresën. Sepse, kot nuk thuhet: shpresa vdesë e fundit…
Këtë tragjedi po e rëndon edhe më shumë fakti që disa njerzë po e shfrytëzojnë këtë kohë të zymtë për përfitime personale as të dinjitetshme, as me nder. Disa njerzë janë bërë argatë të se keqes për të mirën e xhepit të tyre. Në inbox-in time në Facebook, por edhe ne email, nuk ka ditë që nuk marrë me dhjetra e dhjetra mesazhe e kërkesa nga miq, dashamirë, por edhe të atillë që personalisht nuk i njohë, nga Kosova që kërkojnë sqarime dhe ndihme për imigrim në Kanada.
Dikush në Kosovë e ka keqpërdorë lajmin se Kanadaja ka nevojë për njerzë, dhe po përfiton në emër të këtij lajmi. Dikush tjetër po pretendon se të gjithë ata që nuk do të pranohen për azil në Gjermani, me aeroplan do të dërgohen ne Kanada. E dikush, po plotëson dokumente për vize imigrimi në Kanada, për një pagesë të majme, pa ia sqaruar si duhet kushtet që kërkohen nga shteti kanadez këtyre nevojtarëve të gjorë të Kosovës…E lista e të tillëve vazhdon, por këto që i ceka janë më kryesoret.
Andaj, përmes këtij shkrimi publik, dua t’i njoftoj të gjithë bashkëvendësit e mi në lidhje me faktet dhe mitet e imigrimit në Kanada, ashtu që të mos bienë prehë e dashakeqësve.
Së pari, po fillojmë me faktet:
Kanadaja ka nevojë për njerzë—për imigrantë—që i ndihmojnë Kanadasë në përmbushjen e nevojave të tregut te punës dhe ekonomisë së vendit.
Kanadaja ka reformuar dukshëm sistemin e imigrimit, dhe që nga 1 janari 2015, ka lansuar sistemin e ri të imigrimit të quajtur “Express Entry.”
Qëllimi i këtij sistemi është që të përshpejtojë imigrimin në Kanada për imigrantë të kualifikuar, që i nevojiten tregut të punë dhe ekonomisë së vendit.
Imigrantë të kualifikuar, sipas ligjit këtu, konsiderohen të gjithë ata kandidatë që plotesojnë kriteret e përcaktuar me ndonjërin nga tri programet kryesore te imigrimit: Punëtorë Profesional (Federal Skilled Workers), Punëtorë Teknik / Mjeshtër (Skilled Trade Wokers), dhe ata me Eksperience në Kanada (Canadian Experience Class, ku perfshihen punëtorët e përkohshëm në Kanada dhe studentet që kanë diplomuar nga ndonjë program akademik në Kanada që ka zgjatë të pakten dy vite).
Për t’u kaulifikaur për imigrim qoftë përmes programit të Punëtorëve Profesional apo atij të Punëtorëve Teknik / Mjeshtërve, kandidatët duhet të kenë njohuri kogja të avancuara të Anglishtës ose Frengjishtës—njërën nga gjuhët zyrtare të Kanadasë, të kenë të paktën dy vite pervojë punë në profesionin e tyre, dhe të kenë kredenciale akademike që dëshmon profesionin e tyre. Një ofertë pune nga nje punëdhënës në Kanada është po ashtu e rendësishme për kualifikim.
Kjo do të thotë se nëse ju nuk e keni kryer testin IELTS (Anglishtë) ose TEF (Frengjishte) me rezultate te kërkuara sipas këtyre programeve (IELTS mbi 50% ne shumicën e komponenteve, psh), atëherë ju nuk kaulifikoheni për imigrim në Kanada, edhe nëse keni shkollën përkatëse dhe përvojën e punës. Cfarëdo dëshmie tjetër për njohje të anglishtës ose frengjishtës është e papranueshme përvec këtyre testeve në fjalë.
Andaj, vetëm nëse e keni kryer testin përkatës së gjuhës me sukses, keni profesionin e duhur, kredencialet e duhura, dhe përvojën e duhur të punës sipas programit përmes së cilit doni të aplikoni, ju mund të kualifikoheni për imigrim në Kanada, dmth i plotesoni kushtet bazike dhe mandej duhet bërë gjithëcka që të siguroni edhe një ofertë punë, përkrahje nga familjarë ose të njofshëm në Kanada ashtu që të merrni ftesën nga Ambasada Kanadeze përkatëse për të marrë vizën permanente të Kanadasë.
Tani, disa nga mitet që janë krijuar dhe mbi të cilat njerzit po përfitojnë jondershëm:
“Ka një marrëveshje që të gjithë azilkërkuesit kosovarë që nuk i pranon Gjermani, do të dërgohen në Kanada.” E pavërtetë e madhe!
“Kompania jonë ju ndihmon për imigrim në Kanada sepse ne ua mbushim aplikacionet e duhura dhe i dërgojmë në Ambasadën Kanadeze në Vjenë se, fatit nuk i dihet, e të marrin ty (dhe familjen), se Kanada po lypë punëtorë.” E pavërtetë e madhe! Askush nuk mund të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për imigrim. Asnjë aplikacion që nuk përmbanë në vete edhe dokumentet përkatëse të testit IELTS ose TEF nuk konsiderohet i plotë dhe si i tillë refuzohet menjëhërë nga Ambasada. Të gjithë ata që e luajnë këtë lojë fati do të dëshpërohen dhe do të kenë harxhuar para kot së koti!
“Po kjo kompania ma ka dergu edhe ni SMS ku thojnë këtu duhet me apliku për imigrim në Kanada, dhe se 99% e lëndës procesohet aty, dhe kushton 184 Euro me apliku me familje dhe 84 Euro si cift ose vet… Garant, kompania në fjalë e din cka duhet edhe kjo punë është zyrtare dhe në bashkëpunim me Ambasadën ose zyrën e Imigracionit të Kanadasë…” E pavertetë e madhe! Që ka kompani që ju ofron shërbime administrative në mbushjen e dokumentave, është në rregullë. Por, as kjo kompani as ndonjë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë lidhje zyrtare as me Ambasadën Kanadeze në Vjenë e as me Departamentin e Imigracionit dhe Shtetësisë në Kanada. Nëse ndokush thotë se ua proceson lendën në emër të Ambasadës ose Departmanetit të Imigracionit dhe Shtetësisë se Kanadasë, ata po ju mashtrojnë! Të gjithë ju që mendoni se nëse e paguani këtë shërbim për mbushje aplikacionesh e keni më të lehtë imigrimit, e keni gabim. Për të imigruar në Kanada, duhet të plotësoni kushtet ligjore të parapara me programin përkatës së imigrimit. Mandej, nëse i plotësoni këto kushte, është zgjedhje e juaja nëse doni të paguani dikënd të merret me anën administrative të mbushjes së aplikacioneve për ju ose jo. Kjo është fer dhe zgjedhje e juaja, pastaj.
Për fund, besoj se të gjitha këto sqarime do t’ju ndihmojnë sado pak të gjithë juve që keni interesim për imigrim në Kanada, ta kuptoni procesin me drejtë. Po, Kanadaja i ka dyertë e hapura për imigrantë të kualifikuar, por në bazë të ligjeve dhe kushteve përkatëse. Assesi ndryshe! Andaj, mos harxhoni as kohë e as pare për aplikim me mendimin “hajt se nashta ma rrokë” a i plotësuar kushtet ligjore që kërkohen nga Express Entry, se definitivisht nuk “ta rrokë.” /2L ONLINE/
Autori është shtetas kanadez, ligjërues dhe studijues doktorature në Universitetin e Albertës, në Edmonton, Alberta, Kanada, dhe ka qenë i përfshirë edhe në Grupin e Diskutimit dhe Analizave në kuadër të Universitetit të Albertës gjatë përpilimit të sistemit të ri të imigrimit të Kanadasë.
