DYLON

Imazhet mbresëlënëse dhe arti i një poezie

Avatar photo Redaksia

/Në brenditë ideore e tematike të vëllimit “Ditët s’janë një” njohim imazhe përvijuese të poezisë refleksive-meditative, përmes të cilave, Sadete Tërnava – Osmani synon ngjitjen majave të artit poetik, përderisa shpirti pret stuhitë që e përplasin brigjeve/

(Sadete Tërnava – OSMANI: Ditët s’janë një”, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, mars 2014)
Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

EkoHigjiena

 – Pena e kësaj poeteje, derdh frymëzimet nga drama e shekullit që pati frymën shqiptare. Janë tejet të ndishme e të theksuara, shprehjet ironike, në të cilat krijuesja shpalos ndërgjegjësimin mbi ngjarjet e kohës, duke aluduar në përmasa të tjera të fjalës poetike…, andaj shkruan: “Adresë i kam bërë dhembjes tënde”.

Mjeshtëria e të krijuarit, përsiatjet dhe elokuenca femërore, bashkëveprojnë si harmonizim i përndezjes emocionale dhe shpërthimit ideor, edhe në kohët kur “Erërat e (sh)qetësuara dirigjonin”…, me ç’rast vërshojnë nismën e vargjeve: simbole, metafora, personifikime… Këto të gjitha, e nuancojnë vokacionin e admirueshëm artistik të poetes, meqë vargjet përjetohen si vlera poetike frymëzimesh të natyrshme.

Libri ka gjithsej 48 poezi, as që është i ndarë në cikle (kjo traditë e moçme e ndarjes tematike të poezive) dhe as që kanë ndonjë rrjedhshmëri motivesh, të paktën këtë nuk e kanë si fiksim të domosdoshëm. Simbolet bartëse: mirësia, paqja, Dardania…, janë Aleph-i poetik i secilit poet, duke derdhur në vargje absorbimin e viteve të jetuara në nënqiellin shqiptar.

Rrjedha e jetës së poetes metaforizohet në mes përjetimit të kohëve të vështira, për atdheun dhe lirikës që i pushton shpirtin, si në hapërimet qiellore ku i lë pak hapësirë dellit filozofik. Mbresë të veçantë të lë poezia “Mos harro”, e cila është vetë thirrja e poetes që ngjitet majave të shpirtit për të zënë fronin. Poezi kjo, që ngjizet nga individualitete krijuese të ndryshme, të cilat bëhen pjesë e vargjeve të realizuara në trajtë pikturash, që metaforikisht shprehin ndrydhjet emocionale nëpër kohë.

I-

“Ditët s’janë një” është libër që e harkon – FJALA, fuqia transmetuese e së cilës shpon si ajo shigjeta qiellore e Perëndive, drejtuar sfondeve të thella të përjetimeve. Në poezinë “Letër burgu” (dedikuar babait të saj), poetja shprehet: “Shumë pak vjet pata për ta njohur vdekjen e gjallë / Barku deri në palcë më gërryente / S’ma linte as dritën e mekur në dritaren e banesës / Kaq pak vjet pata për ta kuptuar dhembjen”.

Me këtë rast, të duket se po jeton ferrin e Dantes. Mirëpo, Kosova e lirë është sinonim i paqes shpirtërore individuale e kombëtare, andaj tërë makthi i poetes, ndonëse qe një ëndërr e tmerrshme…, megjithatë një ditë përfundon. Po ashtu, me nota prekëse për të, është “Mugëtira e sojit”, ku me sinqeritet i artikulon mendimet, prej ku zgjohet e shtegëton fjala, ndonëse ajo nganjëherë mbetet relikt i “mendjeve të pikëlluara”.

II-

“Ditët s’janë një” konceptohet nga xixa mendimesh, në të vërtetë – FILOZOFIA e skicimit të jetëve njerëzore, emocionit dhe imazhit për një jetë të projektuar ndryshe, me shijen e lirisë, gjë që e përbën edhe filozofinë e vetë jetës në të gjitha kohështrirjet e saj. E në vargjet: “Duart e rreshkura diellin / Përshëndetnin / Malli çmeritej nën notat e dëshirave”, si në poezinë “Mos harro”, ravijëzohen tablotë e rrugëtimit të vështirë të poetes dhe tërë brezit të saj, ku jeta pa ngurim i reflekton të gjitha absormimet e saj ndër dekada. Befason këndshëm poezia filozofike, ku në të vërtetë, poetja pozicionohet ndryshe.

III-

“Ditët s’janë një” përvijon trajektoren e lëvizjeve të individit – shqiptar. Këtu simfonia e jetës dirigjohet nga MUZIKA e zogjëve të trembur. Me theks të veçantë, do thosha se, fati i shqiptarit lidhet ngushtë me fatin e Atdheut, prandaj ai, kurrë nuk reshti së qeni ANTE i dheut të vet, dhe kjo lidhje është shpirtërore, mban aromë gjaku e peshë të rëndë historie.

Edhe Sadete Tërnava – Osmani, me sensin e hollë të një poetje e ka kuptuar këtë golgotë rrugëve të mërgimit, si atëherë kur “Erërat e (sh)qetësuara dirigjonin”, e këngët e trishta të këtij populli i këndonin lahuritë, ngaqë lahuta që moti kishte pushuar…, qe ngulfatur nga fati frymëzënës. E në fund, poetja sikur nuk ka forcë për kundërshtime, e lodhshme dhe jofitimtare qe lufta ndaj mërgimit, prandaj me ironi shkruan: “Gjithnjë i kam dashur valixhet / Të mbushura, të zbrazëta, të hedhura, të varura / Të reja a bojë të dala /
S’prishte pune, shoqe i mbaja”, (Valixhet).

Brenda një universi të tërë poetik, poetja pozicionohet në bërthamën e flijimit, derdh rrëke shpërthimet lirike, skicon qartë përsiatjet filozofike të unit femëror dhe njerëzor, gjë që i hap venerimet e ylberta për hapat e më tejmë, përtej në kohë tjera. Ashtu, sikurse vetë përcaktimi i titullimit të këtij vëllimi poetik që lindi nga poezia përmbyllëse “Ditët s’janë një”, ku në strofën e parë, poetja shkruan: “Ditët janë shumë / Të bardha, të hirta, të zeza / Herë – herë të lehta / Shpesh shumë të rënda / Herë-herë të gjata / Si vetë nata”, ashtu po me një dozë përmbajtjeje ajo ec shtigjeve të reja të jetës…, por duke i ruajtur me nostalgji ato tufëza vetëtimash që lanë gjurmë mbi vendin e saj, ku si padashje i shkarkuan të tëra metamorfizimet e historive të dhimbshme.

Poezitë e këtij libri, për mua…, por shpresoj edhe për studiues të tjerë dhe lexuesit, pa përjashtim, të jenë vargëzime sprovash e sfidash dramatike, jo vetëm të një individi, por të një populli të tërë, në dekadat më të vështira të tyre, të një fundshekulli tunelesh të gjata e të errëta, nëpër të cilat u zvarritën shqiptarët, me valixhet përplot flijim e atdhedashuri.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.