DYLON

Iluzioni përballë realitetit

Iluzioni përballë realitetit
Avatar photo Redaksia

/Mehmetali Rexhepi – ”Frymë e fërguar mynxyrave”, poezi, botoi“Iliriku”, Prishtinë, 1997/

Te poeti krijohet rrëmuja shpirtërore, varësisht se çfarë rrethi e përcjell dhe e mbështjell. Delikatesa e tij për ndonjë interval kohor bie në zgripe, dhe jo vetëm që del enigmatik, por edhe në kundërshtim me rrethin ku ndodhet. Ndjenjat e njeriut të rëndomtë janë më të zbehta, me bindje e me vizione pak sa të kundërta, herë-herë neveritëse për poetin. Andaj, kujt t`i ankohet, kush ta kuptojë sinqeritetin e tij?! Si ta shpjegojë gjendjen reale përkrah iluzionit si qëndrueshmëri e qenies vertikale?! Deri në ç`masë duhet dhënë përparësi edhe ëndrrave si realitetit?!

Shefik Shkodra

EkoHigjiena

Në receptivin e të gjitha atyre ngarkesave, për një çast poeti mbyllet në kështjellën e vet, për të shpërthyer me fjalën e tij zëshëm, duke bërë atë mjeshtëri-mur e ngrehinë, tryezë e ushqim, parzmore e strehë, festë e dolli, ngushëllim e shpëtim…

Mehmetaliu që nuk pat fat të shohë frytin e tij të “fërguar” letrar deri më sot, assesi nuk dyshohet se ai nuk kishte aftësinë e duhur që të ketë veprat e veta përkrah brezit të tij. Rrethi krijoi amulli… Kështu, këto fryte të vonuara, te vona që i bijën në dorë lexuesit, ndriçojnë qartë shtegtimet e pandërprera të autorit.

Pra, kureshtja ishte e madhe që poeti ta mësojë se a është “sfond i bardhë a i zi”, duke u përpjekur me hapa të ngadalshëm e me bedena deri te “Ar(t)i i pritjes”, sepse: “shtigjet u hapën/ e u mbyllën” për një kohë.

Shtatë ciklet e kësaj përmbledhje e përbëjnë tërësinë e librit që nuk u mungon shprehja letrare, por as skajshmëria e teprimi në gjurmimin e figurave stilistike. Në një mënyrë, ky fersifikim është i lexueshëm nga të gjitha masat, do të thotë, nuk ka mëdyshje në perceptimin e kësaj lënde. Erupsioni poetik arrin që të derdhë mllefin si llavë, valë me thirrjen: “A zhdavarisin/ amulli/ shënjestrat/ e penës/ pendë”, ose: “Si ta shërojmë ulcerën/ e mllefit?” Duke vijuar këtë cikël me shpresë , se: “një arrë/ që kishte thyer/ sa e sa dhëmbë e dhëmballë” s`e ka lehtë kushdo për ta ngrënë. Edhe më tutje barra bartet në shpinën poetike për tërë kolektivitetin tonë, në rrugën që zgjatë e zgjatë, duke u ndezur edhe në “zjarrmëni” që vendnumërojmë a lëvizim rreth një qëllimi:” makinë e (pa)riparuar/ s`shkon se s`shkon/ darët metaforë”. Mirëpo, fundi do t`i gjendet një parehatie që ka krijuar shthurje përherë në mesin tonë: “xhamitë do t`u fryjnë/ burive të temxhiteve/ kumbime kambanash/ kumtin do t`ia shpien”… rehatisë.

Vjersha “Rishpalosje demoniane” nga cikli “Zjarrmëni” ngapak na del e zbehtë, ngase është për aktualitetin historik e kohor të ndodhive ballkanike e që krijimet e tilla do duhej të kenë një cipë më të përshtatshme. Do të thotë, të mos mbeten vjersha vetëm për atë kohë. Veli i një cipe stilistike që do t`i mbulonte edhe një numër tjetër të vjershave të tjera do të shtonte risinë artistike.

Shprehjet “ar(t)i i pritjes”, “Rit(mike)”, “(j)organe”, (u)rrenë”, “(s)lanë”, (ma)gjinë”, “(zh)bërje”, “demo(n)kracia” e tjera, mund të lexohen si dy vargje, si dy fjalë, diku edhe si dy vjersha dhe lexuesi të njihet me mesazhin e autorit s`është aq e vështirë.

Hiq ndonjë vjershë, aty-këtu të zhveshur nga figurat stilistike, “Frymë e fërguar mynxyrave” del përmbledhje e suksesshme. Shpresojmë që në të ardhmen, poeti do të orvatet edhe më me ngulm për gjetjen e shprehjeve më të përshtatshme e të mjaftueshme, që vjershat të jenë më të shkurtra, pa narracion sikur ndodh edhe me titullin e vetë përmbledhjes.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.