Iluzione të humbura!
Shkruan: Liridona SYLA
(2L ONLINE) – Të duash vendin nuk është krenari, është vetëvlerësim sepse të duash veten do të thotë të duash të tjerët. Gjithçka ndryshon në momentin kur kjo bëhet petku i fshehtë i gënjeshtrës, krimit e dhunimit nga “ata”!
Ta ëndërrosh e ta imagjinosh deri në mosbesim përparimin nga grimcat që kanë lënë gllabëruesit, në të tashmen tonë, duket sikur thjesht ky ideal do të mbetet një ëndërr. Atëherë kur populli bëhet zëri më i fuqishëm që dëgjohet në vend, atëherë vjen tendenca që ky zë të ngjiret e të shtypet. Shumë shpejtë harrohen ngjarjet që ky ideal kaloi për të arritur tek Liria-ajo pikë aq e dobët e historisë sonë!
Po sikur të kujtojmë se sot pas 34 vjetësh nga ngjarja e 81-shit, ideali jonë po vihet prapë në rrezik, në mes të atyre që dikur akuzonin dhunën e armikut dhe atyre që sot po e përjetojnë dhunën e njëjtë nga vetë këta të parët! E çuditshme…heronjtë nuk qenkan gjithmonë ata që luftojnë me armë, ata shndërrohen në vet armikun e vetvetes, sepse të themi më saktë ata paskan harruar vetveten!
Të përjetosh përmes pamjeve ato që janë përshkruar nga baballarët tanë, si ngjarje që nuk harrohen dhe që kanë ndodhur në kohën kur ti nuk ke ekzistuar fare dhe thjesht i ke imagjinuar si një përjetim aq të rëndë të paraardhësve tanë dhe të të ndodh të përjetosh ato sot edhe ti, pas kaq shumë vitesh, është njëjtë të kuptosh se as në pikat e luftimit, vendi jonë s’paska qenë asnjëherë më larg këtij ideali.
Iluzioni që kemi pasur si fëmijë për vendin tonë të bukur, është zbehur shumë…antivlera është bërë bërthama e televizionit, kreativiteti është bërë tmerri i profesorit, gjuha jonë është bërë gjuhë e huaj, fjalët tona i ka zëvendësuar dëshira e lakmia për botën e jashtme, moskokëçarja ka zaptuar sheshin tonë, njerëz që me duar në xhepa këtë shesh e kanë shtëpi, e kalimi i kufirit tonë është bërë synimi i rinisë aq të bukur e të shëndoshë!
Më rrëqeth ideja që pas kaq shumë vitesh na aktualizohet kaq shumë thënia e Konicës ” Shqipëria u bë, si do të bëhen shqiptarët?” Vërtetë “shteti” jonë i dashur është ai që po na largon nga ideali, më e dhimbshme është ideja që në mesin e zërit të fuqishëm të popullit, janë njerëz që kanë sakrifikuar aq shumë…dhe sot prapë po i bashkon qëllimi, njëherë kundër armikut real, tani kundër armikut të fshehur atje nën petkun e “urdhrave”, nën petkun e ” të mirës së shtetit”!
Vetëm një gjë më jep forcë dhe shpresë, që përderisa ka ende njerëz që nuk heshtin e nuk dorëzohen kundër atij që cenon idealin tonë, dëshmon se vlera e një populli është ngritja e zërit për të mbrojtur dhe jo përulja ndaj atyre që na kanë sfilitur e na kanë shtypur iluzionet e ëndrrat tona në vendin tonë të dashur! Historia do të gjykojë… /2L ONLINE/
/autorja është studente e vitit të dytë në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë dhe Letërsi/
