Ilmi Krasniqi, urtaku i shtrëngatave të forta që asnjëherë nuk pushoi së përhapuri fjalën e Zotit
Ilmi Krasniqi, urtaku i shtrëngatave të forta që asnjëherë nuk pushoi së përhapuri fjalën e Zotit.
Angazhimi jetësorë i imamit Krasniqi në forcimin e besimit në Zot.
Nga Isak N. Bilalli
Ilmi ef. Krasniqi është një nga imamët, intelektualet e rrallë i cili shtegtimin e tij profesional e përshkroi në pozicione të ndryshme duke i dhënë profesionit të tij, kontribute dhe vlera të larta mirënjohjeje e respekti. Natyra e tij e qetë e shoqëruar gjithmonë me nota maturiteti ka arritur t’i vesh figurës se hoxhës një gëzof të fisshëm që përshkon përtej të qenit një prijatar në kryerjen e ritualeve fetare. Ilmi Krasniqi është një nga ulematë e respektuar që me modesti dhe punë të vazhdueshme ka arritur të shtrij kontributet e tija të shumta në shërbim të përafrimit të njerëzve me fjalën e Zotit.
Rrugëtimin profesional që Efendiu i respektuar ka ndjekur ngërthen në vete përfshirje në pozicione të ndryshme në etapa të ndryshme kohore duke mos patur as edhe njëherë të vetme tendencën për të promovuar veten e tij si hoxhë i dalluar apo intelektual me ndikim në shoqëri. Ai, padyshim është një nga figurat me poliedrike të rajonit të Gjilanit i cili me veprën e tij jetësore në shërbim të fesë dhe institucionit të Bashkësisë Islame vërtetoi që ishte më shumë se një hoxhë, më shumë se një profesor, më shumë se një studiues, më shumë se një predikues por mbi të gjitha për te mund të thuhet se ai ishte dhe mbetet një përhapës i zellshëm i fjalës së zotit që profesionin e tij e përkaloi natyrshëm në mision.
Mund ta marrim me mend që trajektorja e realizimit të misionit jetësorë të tij ka qenë e vështirë dhe përplot pengesa e barriera të shumëllojshme të cilat Ilmiu i ka kaluar me durim dhe me përkushtim të madh duke gjetur zgjidhje parciale ndaj problemeve dhe sfidave të mëdha dhe në këtë mënyrë ka arritur ngadalë në zgjidhjet përfundimtare të kënaqshme. E veçanta për këtë personalitet është se ai njihet nga të gjitha qarqet për urtësinë, modestinë, devotshmërinë, përkushtimin dhe zemërgjerësinë e madhe në marrëdhënie me njerëzit, vlera të cilat të gjitha së bashku e bëjnë të trajtohet si një intelektual i kompletuar dhe njeri që gëzon natyrshëm respekt në masë. Aq sa janë të lindura cilësimet e sipërpërmendura po aq mund të thuhet se janë trashëgimi familjare sepse Ilmiu vjen nga një familje fetare e atdhetare e cila nder gjenerata ka kultivuar besimin dhe dashurinë për atdheun, duke dhënë një kontribut të çmuar në jetën fetare e kombëtare të vendit.
Rrugëtimi i tij i deritanishëm deri në pensionim përfshin angazhime në pozicione të rëndësishme si në udhëheqje, menaxhim, mësimdhënie, edukim pa lënë anash atë parësorin -predikimin fetar. Për ata që e njohin nga afër e dinë se për Ilmiun tani fillon një kapitulli i ri. i cili padyshim që do e ri-dimensionojë intensifikimin e humanitetit dhe përhapjen sa më të gjerë të fjalës se Zotit, kudo që shfaqet nevoja.
Të kthehemi pak në kohë dhe të drejtojmë prozhektoret në rrugëtimin që hoxhe Ilmiu ka ndjekur në përmbushjen e misionit të tij.
Vitet ’80-a janë vitet kur Ilmiu përfundoi medresenë në Prishtinë dhe ju rrek punës në përmbushjen e misionit të tij jetësorë duke qenë koshient se nevoja për hoxhe-mësues ishte e madhe kur dihet që në ato rrethana mësimi i fesë respektivisht i gjuhës së Kuranit ishte pjesë e mësim nxënies informale që luftohej nga regjimi në format më të egra. Këtë detyrë e ushtroi për pak vite nëpër fshatra të ndryshme të Anamoravës por gjithmonë me mendje dhe me synim për t’u thelluar në studim të avancuar gjuhësorë në fushën e Teologjisë. Dëshira e madhe dhe lutja e tij ju plotësua pasi ai u pranua për të ndjekur studimet në Gjuhësi në Bagdad në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe, ku dhe u diplomua në vitin 1987 si një nga studentët e dalluar nga ky universitet prestigjioz ndërkombëtar.
Pas përfundimit të studimeve, Ilmiu kthehet në Kosovë për të vazhduar misionin e tij në shërbim të komunitetit besimtar. Duhet theksuar se kërkesat ishin të mëdha për të mbuluar boshllëkun në përhapjen e njohurive fetare përmes ligjëratave apo forumeve të ndryshme në të cilat xhemati dëshironte të mësonte nga kjo gjeneratë e hoxhallarëve të shkolluar në tokat arabe, por gjithashtu edhe nevoja e edukimit të gjeneratave të reja me mësim fetar ishte evidente dhe shumë e theksuar. Jo vetëm në fillesat e tij si mualim i ri, por edhe në fazat tjera të shërbimit ai punoi me pasion të lartë si me nxënës fillestar por edhe medresant e studentë të cilët kishin dëshirën për të studiuar gjuhën e Kuranit. Hoxhe Ilmiu ka qenë gjithmonë i pa përtesë ndaj dhe zhvilloi aktivitetin e tij me një elan të fortë, duke u bërë mësuesi i parë gjeneratave të reja të cilët e filluan me mësimin e alfabetit deri te medresantë e studiues të linguistikës arabe që u diplomuan më vonë nëpër Medrese dhe Universitete të ndryshme Islame gjithandej nëpër botë.
Ilmi Krasniqi nuk ishte një mësues i zakonshëm por para së gjithash ishte një edukator që dinte t’i afronte nxënësit e tij dhe të dhuronte atyre mësimin e vlerave për të cilat sot e asaj dite ish nxënësit tash kolegë janë shumë falënderues ndaj tij. Përtej kontributit të tij në ligjërime dhe në arsimim e edukim të gjeneratave të reja, Ilmiu ishte një nga bashkëpunëtorët më besnik të Bashkësisë Islame si një nga kontributorët e hershëm në këtë institucion.
Rrethanat e krijuara në vitet ’90 respektivisht rënia e komunizmit në Shqipëri në vitin1992 nxjerrin në sipërfaqe nevojën emergjente për t’iu vënë në ndihmë shqiptarëve me njohuri mbi fenë dhe për këtë sfide kryetari i asokohshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Rexhep Boja e përzgjedh Ilmiun si një nga emisarët e tij për t’i vajtur në ndihme Komunitetit Musliman në rithemelimin e këtij institucioni dhe përhapjen e fesë në Shqipëri. Në shikim te parë ishte një mision i pamundur marrë për bazë volumin e punës që kërkohej në ngritjen e institucionit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe pastaj rivendosja e komunikimit me besimtarët që sistemi ateist 50 vjeçar e kishte bërë të ishin të larguar nga besimi në Zot.
Për pak kohe Ilmiu shërbeu në zyrat qendrore të Komunitetit Musliman në Tiranë për te vazhduar me një detyre specifike si i emëruar nga Komuniteti Musliman për qarkun e Shkodrës. Gjatë kësaj kohe, ef. Krasniqi merr edhe detyrën e imamit në Xhaminë e Plumbit në Shkodër dhe paralelisht ishte ligjërues në Medresenë “Haxhi Shejh Shamia” në lëndën Gjuhësi e Përgjithshme Arabe. Gjatë këtij shërbimi, ai krijoi miqësira të shumta jo vetëm me xhematin e xhamisë por edhe me shumë intelektualë shkodranë të cilët sot e asaj dite e vlerësojnë për angazhimin e tij të çmuar në kohë të vështira.
Pas një viti e ca punë në Shkodër kthehet me shërbim në Tiranë për të vazhduar me Komunitetin Mulsiman si bashkëpunëtorë profesional me një nga Organizatat Islamike në ushtrimin e aktiviteteve fetaro-humanitare. Nga kjo cilësi Ilmiu ishte bashkëkreator dhe ekzekutues realizimit të programeve të ndryshme për jetimet, studentët dhe për besimtarët në përgjithësi qoftë përmes dhurimit të bursave apo edhe të programeve të ndryshme arsimore dhe edukative si dhe ndërtimit të xhamive në të gjithë Shqipërinë.
Këto angazhime ne Shqipërinë postkomuniste Ilmiu ishte bashkërisht me një grup kolegësh nga Kosova e Maqedonia e Veriut, me të cilët se bashku arritën cilësisht të ndikojnë në konsolidimin e shoqërisë shqiptare drejt rikthimit në fenë e Zotit. Po ashtu gjatë kësaj periudhe efendi Krasniqi vazhdoi ligjërimin e lëndës së linguistikes arabe ne Medresenë e Tiranës duke shënuar në këtë mënyrë një kontribut madhor në përmbushjen e detyrave që i ishin besuar në këtë mision të rëndësishëm të kohës.
Pas kësaj periudhe intensive në Shqipëri, Ilmiu rikthehet në Kosove dhe nga viti1994 emërohet drejtuesi i parë i Medresesë “Alauddin” – paralelja e ndarë fizike në Gjilan, detyrë që e mbajti deri në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s, duke mos e lënë anash edhe detyrën e profesorit të gjuhës arabe në këtë institucion. Edhe gjatë kësaj kohe të vështirë ekzistencialiste Ilmiu ishte një nga zyrtarët e Bashkësisë Islame në Gjilan duke mos e ndaluar aktivitetin në asnjë moment sepse realizonte mision të dyfishtë: i vene ne shërbim te interesit fetarë e kombëtare duke e ndare bashkërisht me strukturat udhëheqëse politike jo vetëm godinën por edhe shërbimin administrativ të institucionit ku shërbente si dhe kontributin e tij personal.
Ne Kosovën e pasluftës efendi Krasniqi vazhdoi aktivitetin e tij si mualim pranë Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, detyra të cilat si gjithmonë i ka realizuar me pietet e dashuri për punën dhe institucionin që ka përfaqësuar, por para se gjithash këtë raport korrekt e ka ruajtur si të shenjtë me besimtarët.
Nga viti 2006 deri në vitin 2011, Krasniqi shërbeu si kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, si dhe anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për dy mandate. Detyrat funksionale që ushtroi në veçanti-detyra e kryetarit, në rrethanat e kohës njihet si periudha e egër apo periudha e përplasjeve të mëdha në qytet kur duhej të rindërtohej xhamia e madhe, në të cilën kohë Ilmiut i ra për hise të ishte në krye të tavolinës për zgjidhjen e këtij problemi.
Në një kohe kur pushteti vendor dhe ai qendrorë kishte përplasje të brendshme politike Ilmiu si udhëheqës e menaxher i Bashkësisë Islame arriti të shmang situata të pakënaqshme dhe të ndërtoj komunikim të besueshëm me administratën e Kombeve të Bashkuara dhe forcat e NATO-s duke i sjellur të gjitha palët në tavoline si pjesë e zgjidhjes. Këto sfida madhore efendi Krasniqi i kaloi duke vënë në spikamë gjithmonë tolerancën dhe durimin si pjesë e mënyrës së tij udhëheqëse, metodë e cila tani kur shikohet nga perspektiva kohore rezulton si zgjidhja e vetme adekuate e duhur.
Pas përfundimit të mandatit si Kryetar i Këshillit te Bashkësisë Islame në Gjilan, efendi Krasniqi ashtu siç ka preferuar gjithmonë të bej punë të mëdha por pa pompozitet u transferua në pozitën e kryearkëtarit në këtë institucion duke përmbushur me shumë përkushtim edhe këtë besim të dhënë për të mirëmbajtur dhe menaxhuar sistemin financiar e arkëtues.
Siç shihet edhe nga kjo përmbledhje, karriera profesionale e hoxhë Ilmiut përfshin pozita të ndryshme prej atyre teknike, administrative, edukative deri në udhëheqje të institucionit të cilat e bëjnë atë të jetë një nga shërbyesit më të denjë i cili këto detyra i kreu me shumë përgjegjësi, përkushtim e dedikim të veçantë. Për të gjitha këto kontribute të realizuara ndër dekada, Ef. Krasniqi nuk pranon asnjëherë të flas për këto të arritura dhe gjithmonë me shumë ndrojtje ndaj të madhit Zot, i shmanget këtyre bisedave duke pohuar që nuk ka bërë asgjë më shumë se të tjerët dhe e mbyll muhabetin përkundër insistimit.
Të gjitha të dhënat e siguruara janë marrë nga burime të jashtme, të cilat dëshmojnë për angazhimet e tij në shërbim të njerëzve dhe besimtarëve për te cilët ai edhe sot vazhdon të punojë pa dashur që të ekspozohet fare.
***Kujtojmë se javë me parë Ilmi Krasniqi është pensionuar. Për më tepër, shih shkrimin: U pensionua Ilmi Krasniqi, arkëtar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan. /2LONLINE/
