DYLON

Ilir Tahiri i drejtohet publikisht kreut të komunës: Malisheva nuk është dhe nuk do të bëhet deponi!

Ilir Tahiri i drejtohet publikisht kreut të komunës: Malisheva nuk është dhe nuk do të bëhet deponi!
Avatar photo Redaksia

Deponia për mbeturinat inerte e paraparë të ndërtohet në Malishevë të Gjilanit ka vazhduar të ngjallë reagime të shumta. Njëri ndër reagimet është edhe ai i Ilir Tahirit nga Malisheva e Gjilanit i cili iu është drejtuar publikisht kryetar të komunës së Gjilanit Alban Hysenit duke e kundërshtuar hapur ndërtimin e deponisë në fjalë, në këtë lokacion.

Ja adresimi i plotë I Ilir Tahirit:

EkoHigjiena

I nderuar Alban,

Ndoshta i keni votat për me kalu në Kuvend hapjen e deponisë për mbeturinat inerte në Malishevë, por kjo nuk ka me ju mjaftu, sepse në praktikë nuk keni me mujt me e realizu.

Rruga për Malishevë nuk e plotëson asnjë kusht me u bo rrugë e kalimit të ngarkesave të mëdha me inerte, e aq më pak rrugicat nëpër fshat. Me asnjë çmim nuk do t’ju lejojmë me i rreziku banorët e fshatit nga makineritë e rënda që do të kalonin nëpër fshat për të shkuar në deponi.

Pjesa ku e keni paraparë ndërtimin është pjesa më e bukur e fshatit tonë. Deponia, edhe po të ishte e nivelit më të lartë të ndërtimit, përgjegjësia shoqërore nuk na lejon me pranu me u ndërtu aty.

Nuk lejojmë që fshati ynë të kthehet në një deponi të mbeturinave inerte. Kam qenë kundër ndërtimit të deponisë rajonale të mbeturinave, sepse e kam ditë që i vetmi projekt kapital në qytetin tonë ka me qenë deponia.

Nuk lejojmë që t’i ngujojmë fëmijët tanë brenda oborreve nga frika e kamionëve që do të lëviznin nëpër fshat për të shkuar në deponi.

Kam qenë kundër lokacionit të impiantit të ujërave të zeza, por atëherë për këto dy projekte kanë vendosur pazargjinjtë, të cilët të vetmin hall e kanë interesin e tyre e jo të banorëve.

Përmes këtij postimi në Facebook, dhe si njëri nga ata që të ka votu në balotazh, po të njoftoj se nuk do t’ju lejojmë asnjë kaci çiment me qitë në vendin ku e keni planifikuar ndërtimin e deponisë.

Malisheva nuk është dhe nuk do të bëhet deponi. /2LONLINE/