Ilir Poroshtica shpalos trembëdhjetë prioritetet për qeverisjen lokale në Gjilan 2025-2029
Ilir Poroshtica, i cili në zgjedhjet e tetorit, do të jetë kandidat i i Partisë GUXO, për Kryetar të Komunës së Gjilanit, ka shpalosur trembëdhjetë prioritetet për qeverisjen lokale në Gjilan 2025-2029.
Ja si i ka listuar këto prioritete.
13 prioritetet për qeverisjen lokale në Gjilan 2025-2029:
1. Shërbime shëndetësore efikase lokale, brenda ambienteve të qendrave e ambulancave komunale dhe ofrim shërbimesh në shtëpi për pacientët në nevojë. Konkurse publike me meritokraci për stafin shëndetësor. Komunikim sipas Kodit Etik mjekë-infermierë-pacientë-familjarë të pacientëve. Rinovim dhe mirëmbajtje sistematike të qendrave dhe ambulancave familjare si QKMF, QMF E AMF, në zonat urbane e rurale. Investime e kërkim donacionesh për pajisje të reja teknologjike e laboratorike.
2. Shërbime efikase sociale, përkujdesje për rastet sociale, mbrojtjen e fëmijëve dhe të gjitha kategoritë e cenueshme shoqërore, mbështetje për QPS-të, investime në trajnimin e stafit të shërbimeve sociale.
3. Shërbime cilësore në administratën publike, në Sektorin e Gjendjes Civile, digjitalizim të Qendrës për Shërbime me Qytetarë, duke i dhënë prioritet çdo kërkese të qytetarëve, pa dallim, duke mundësuar aplikim fizik dhe online të kërkesave.
4. Reforma në edukimin parashkollor, arsimin e ulët, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, duke investuar në trajnimin e stafit, investime në pajisjet shkollore dhe teknologjike, veglat për konkretizim, konkurse publike me meritokraci dhe sipas normativit të Ministrisë së Arsimit dhe monitorim të procesit edhe nga shoqëria civile. Regjistrim adekuat të fëmijëve në kopshte e çerdhe, me disa kritere profesionale, duke i dhënë prioritet afërsisë gjeografike të kopshteve e çerdheve me vendbanimin përkatës të fëmijës.
5. Menaxhim efikas, profesional dhe transparent të buxhetit komunal. Investime në softverë me standarde kombëtare e ndërkombëtare. Trajnime për stafin.
6. Zbatim i Planit Zhvillimor Komunal, zhvillimin hapësinor dhe urbanistik me standardet më të larta estetike urbane, në harmoni të plotë me Ligjin për planifikimin hapësinor dhe çdo akt tjetër në fuqi, ruajtjen e tokave bujqësore dhe gjithëpërfshirje të profesionistëve dhe qytetarëve.
7. Shërbime publike të shpejta dhe cilësore, investime në furnizimin me ujë të pijshëm, me projekte kapitale në bashkëpunim me mekanizmat e nivelit qendror dhe institucione financiare ndërkombëtare, rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit, ujërave atmosferike, mirëmbajtjen verore e dimërore të çdo hapësire publike, gjelbërim dhe çdo shërbim tjetër që mirëmban dhe rregullon hapësirat publike.
8. Mbështetje për bujqit, subvencione me meritokraci, trajnime në aplikim për bujqit dhe
fermerët, mbrojtje të pyjeve dhe pyllëzime.
9. Shërbime cilësore dhe digjitale të kadastrit, gjeodezisë dhe pronës, reduktimin e burokracive të panevojshme, ofrim shërbimesh për qytetarët në mënyrë profesionale.
10. Investime në shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit, përkrahje për trajnime të ofruesve të këtyre shërbimeve, investime në pajisje dhe objekte, investime për mbrojtje nga çdo fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të tjera me masa të veçanta parandalimi dhe intervenimi të shpejtë.
11. Nxitje të zhvillimit ekonomik, tërheqje të investitorëve lokalë e të huaj, zyre të veçantë për mërgimtarë në objektin e Kryetarit të Komunës, ambient i volitshëm për investime, përkrahje të veçantë për zonat ekonomike.
12. Përkrahje për sektorin e kulturës, rinisë dhe sporteve, mbështetje për klubet sportive me një listë kriteresh të veçanta edhe varësisht nga suksesi kombëtar dhe ndërkombëtar, rritje e subvencioneve, konkurse publike me meritokraci, përkrahje për ndërkombëtarizim të Teatrit të qytetit, investime në digjitalizimin e teatrit ku biletat blihen edhe online, më shumë aktivitete në Qendrat Rinore dhe Kulturore, në zonat urbane e rurale, më shumë përkrahje për Galerinë e Arteve, Bibliotekën e qytetit, funksionalizim i Kinemasë në KULT-QENDRËN, përkrahje për sektorin e pavarur kulturor, bashkëpunim efikas me OJQ-të kulturore, rinore dhe sportive.
13. Zbatim i inspeksionit, shqyrtim profesional i kërkesave për pranim teknik të lokalit, për kërkesat për mallin e prishur-jo ushqimore, për pëlqim sanitar, shqyrtim serioz i ankesave të qytetarëve dhe bizneseve. /2LONLINE/
